Drejtësia, mbërrijnë ekspertët ndërkombëtarë

MNM GenovevaNë Shqipëri, Misioni ndërkombëtar i monitorimit, i cili do të vëzhgojë të gjithë procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë do të nisë zyrtarisht punën nesër, ndërkohë që sot u themelua Bordi i tij menaxhues, me përbërje të përfaqësuesve të Komisionit europian dhe të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Misioni do të nisë menjëherë aktivitetin me verifikimin e kandidaturave për strukturat që do të vënë në zbatim procesin e rivlerësimit.

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Genoveva Ruiz Calavera, do të jetë në krye të misionit të ekspertëve europian dhe amerikanë. Dita e sotme për të nisi me takimet e prezantimit me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Parlamentit Ilir Meta, për të vijuar më pas me themelimin e Bordit menaxhues të misionit, në përbërje të të cilit janë përfaqësuesë të Komisionit Evropian dhe të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Ky bord do të ketë një rol mbikqyrës dhe koordinues për aktivitetin e misionit ndërkombëtar.

“Operacioni Ndërkombëtar do të kryejë një monitorim të fortë të procesit të rivlerësimit, por ai nuk do të marrë vendime ekzekutive. Të gjithë vendimet përfundimtare do t’u takojnë autoriteteve shqiptare, sic dhe duhet të jetë”, shpjegoi Calavera

Faza e parë e punës do të jetë ajo e verifikimit të kandidaturave për komisionet e rivlerësimit. Afati për aplikimet përfundon nesër. Dhe brenda 7 ditëve Avokati i Popullit, në konsultim me misionin ndërkombëtar, i cili ka qasje në të gjithë dokumentacionin, harton dy lista me ata që plotësojnë ose jo formalisht kriteret. Më pas do të jetë misioni ndërkombëtar që do të bëjë vlerësimin për cdo kandidaturë, duke hartuar dhe rekomandimet që përmes Avokatit të Popullit i kalojnë parlamentit. Në këtë fazë do të jenë të angazhuar dy ekspertë amerikanë dhe tre europianë.

Pas ngritjes së strukturave të rivlerësimit, Misioni do të shtohet me të tjerë ekspertë të nivelit të lartë. Në total numri i tyre pritet të jetë mbi 20 dhe ata do të qëndrojnë në Shqipëri për të paktën 3 vjet.

Zonja Calavera, i mëshoi sot faktit se veprimtaria e Misionit do të jetë professionale, e paanshme dhe në respekt të ligjit, ndërsa theksoi rëndësinë e procesit të rivlerësimit për të ardhmen e raporteve të Shqipërisë me Brukselin: “Besoj se mesazhi ynë është i qartë. Ky procesi rivlerësimi është jetik për të hapur derën e nisjes së bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, nënvizoi zonja Calavera. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>