Lidhja Social Demokrate ka shtuar komunikimet me partitë shqiptare, në përpjekje të arritjes së një marrvëveshjeje për formimin e kabinetit qeveritar, ndërsa çështja e gjuhës shqipe vazhdon të mbizotërojë në këto bisedime.
Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev ishte të marten në mbrëmje në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë për të biseduar me zotin Ali Ahmeti, kryetar i kësaj partie.
Z. Zaev u tha më pas mjeteve të informimit se “janë kapërcyer disa dallime me BDI-në, se nuk do të sillen zgjidhje për përdorimin e gjuhëve që nuk do të jenë në kornizat e Kushtetutës, ndërsa grupet e punës nga të dyja partitë po punojnë në drejtim të gjetjes së zgjidhjes për formimin e qeverisë”.
Pak orë pas takimit, zoti Ahmeti u tha gazetarëve se dallimet me LSDM-në mbi përdorimin e gjuhës shqipe nuk janë të mëdha. Ai tha se takimi nuk kishte të bënte me nënshkrimet e ligjvënësve të partisë së tij, por me dallimet që ekzistojnë mes dy partive. Zoti Ahmeti tha se po kërkohet një zgjidhje që do të garantonte qëndrueshmërinë politike dhe ekonomike të vendit.
Në komentet e tij, Zaev tha se shpresonte që procesi i bisedimeve të përfundojë shpejt. “Më vjen mirë që të dyja partitë pajtohen që zgjidhjet të dalin nga Kushtetuta”, theksoi Zaev, duke lënë të kuptohet se dallimet kanë të bëjnë me interpretimin e zbatimit kushtetues të ligjit për gjuhët. Kryetari social-demokrat shtoi se nëse ngelen çështje të hapura, ato mund të diskutohen më vonë, duke u këshilluar me ekspertët për të parë se çfarë është kushtetuese e çfarë jo.
Në lidhje me ndarjen e baraspeshuar të buxhetit në rajone, Zaev tha se ka qëndrime identike me Z. Ahmeti. Kjo, – tha ai, – nuk është një çështje etnike por qytetare.
Më herët gjatë ditës, zyrtarë të lartë të LSDM-së u takuan me përfaqësues të Lidhjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare për të biseduar po për çështjen e gjuhës shqipe.
Partia shqiptare me koalicionin “Aleanca për shqiptarët” me tre deputetët e saj ka njoftuar para disa javësh se do t’i japë nënshkrimet e nevojshme LSDM-së në mënyrë që kjo të marrë mandatin për formimin e qeverisë. Por ajo ngul këmbë që shqipja të jetë gjuhë zyrtare në të gjitha nivelet e pushtetit qendror kudo në Maqedoni.
Për formimin e qeverisë nevojitet një shumicë e thjeshtë, 61 vota. Pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, BDI ndonëse doli me një numër më të vogël deputetësh se sa në mandatin e mëparshëm, ajo ka tani një rol kyç, sepse pa votat e saj nuk formohet dot qeveria. (voa)