Në Shqipëri Prokurori i Antimafias italiane Franco Roberti tha sot se trafiku i drogës drejt Italisë është rritur me shpejtësi vitet e fundit ndërsa foli për rrezikun që një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet mund të shkojë për të financuar radikalizmin islamik. Këto komente ai i bëri në përfundim të një takimi që pati me kryeprokurorin shqiptar Adriatik Llalla dhe disa prokurorë të tjera shqiptarë.
I shoqëruar dhe nga prokurorët e Barit, Lecces dhe Catanzaros, kreu i Antimafias italiane Franco Roberti tha se vizita e tij në Tiranë kishte të bënte me nevojën “për të kuptuar, së bashku me kolegët shqiptarë se çfarë ka cuar në shumëfishimin e trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë, si dhe të kuptonin se çfarë mund të bëjmë për të përmirësuar strategjtë tona të përbashkëta dhe bashkëpunimin tonë”.
Sipas tij një ndër shkaqet ai ka përmendur rritjen e kërkesës nga Italia, si dhe faktin se duke qenë se për trafikantët, importimi është më i lehtë se kultivimi i canabisit në Itali, Shqipëria rezulton rruga më e favorshme.
Duke ju referuar të dhënave që ai tha se i kishte marrë nga prokurorët shqiptarët të Krimeve të Rënda dhe të Prokurorisë së Vlorës, në dy vitet e fundit trafiku i substancave narkotike drejt Italisë është trefishuar.
Ai foli dhe për rrezikun e lidhjeve mes narkotrafikut dhe aktiviteteve terroriste: “Eshtë më shumë se sa një hipotezë investigative. Ne jemi të bindur, siç dhe e verifikuam, se të paktën një pjesë e të ardhurave të paligjshme nga trafiqet e drogës, ka mundësi të financojnë aktivitetet e radikalizmit islamik, pra potencialisht, aktivitetet terroriste”, u shpreh prokurori italian.
Së bashku me kryeprokurorin Llalla ata folën për një forcim të mëtejshëm të bashkëpunimit dy palësh, si për hetime të përbashkëta ashtu dhe për shkëmbimin e shpejtë të informacionit. Pala italiane ka emëruar dhe një prokuror ndërlidhës në Tiranë.
“Sot interesi i përbashkët mes Italisë dhe Shqipërisë është që të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, gjithnjë e më shumë të ndërlidhur mes tyre. Për fat të keq, korrupsioni është një instrument i privilegjuar i krimit të organizuar, edhe për t’u infiltruar nëpër institucione, në administratën publike dhe në ekonominë e ligjshme”, deklaroi kreu i Antimafias italiane Roberti.
Për rreziqet që vijnë nga trafiku i drogës mbrëmë foli dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë Bernd Borschardt. Në një intervistë për emisionin ‘Tonight’, në ‘Ora Neës’, duke ju referuar përhapjes së fenomemit të kultivimit të marijuanës vitin e kaluar, ai foli për më shumë se 2 miliardë euro para të pista në qarkullim nga ky aktivitet, duke u shprehur se “ekziston rrisku se këto para mund të përdoren për të blerë deputetë”. (voa)