Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje të martën udhëheqësve të Maqedonisë të formojnë pa humbur kohë qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit.
Qeveria e re, shprehet përmes një deklarate zëdhënësi në detyrë i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, do të ndihmojë për t’i dhënë fund krizës politike, që ka dëmtuar rëndë përparimet ekonomike dhe demokratike të vendit, si dhe integrimin Euro-Atlantik.
Uashingtoni u bën thirrje gjithë partive të vënë në radhë të parë interesat e Maqedonisë dhe qytetarëve të saj dhe të zbatojnë plotësisht angazhimet që rrjedhin nga marrëveshja e Përzhinës.
Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët e Bashkimit Evropian dhe NATO-n, po ndjekin nga afër procesin e formimit të qeverisë së re, thekson zëdhënësi i Demartamentit të Shtetit.
Kryetari i Partisë Social Demokrate, Zoran Zaev, i dorëzoi dje presidentit Gjeorgje Ivanov listën me numrin e duhur të deputetëve për të formuar qeverinë, pas dështimit të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, që ndonëse fitoi në zgjedhje, nuk arriti të krijonte një koalicion qeverisës.
Zoti Zaev, është në pritje të marrjes së mandatit për formimin e qeverisë nga presidenti Ivanov, kabineti i të cilit tha të hënën se presidenti pritet të marrë një vendim së shpejti në se do t’ia japë apo jo mandatin zotit Zaev. Presidenti Ivanov ka thënë më parë se partia që pretedon të formojë qeverinë, përveç sigurimit të 61 deputetëve, duhet të dorëzojë edhe programin përmes të cilit të garantojë ruajtjen e sistemit unitar të shtetit.
Fati i qeverisë së ardhshme në Maqedoni është në duart e partive shqiptare, nga të cilat Bashkimi Demokratik për Integrim ka marrë numrin më të madh të vendeve në parlament. Përmes një qëndrimi të përbashkët, 3 parti shqiptare kanë paraqitur një sërë kushtesh për të mbështetur koalicion qeverisë, ku kryesorja është avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe.
Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim bënë të ditur se qëndrimet e tyre ishin përafruar, por marrëveshja nuk është bërë ende e ditur.
Negociatat mes tyre pritet të vazhdojnë pas dhënies së mandatit nga presidenti. BDI ende nuk e ka shprehur të qartë qëndrimin e saj në se do të jetë pjesë e qeverisë, apo vetëm do të japë mbështetjen për krijimin e saj, por pa u bërë pjesë e bashkë-qeverisjes, duke e lënë partinë social demorkate si një qeveri të pakicës.
Përkrahës të partisë VMRO-DPMNE ndërkohë kanë filluar prej dy ditësh protesta në Shkup kundër asaj që e quajnë federalizim të Maqedonisë, duke kundërshtuar zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe. (voa)