Prodhimet që shiten në Perëndim e Lindje nuk kanë të njëjtin kualitet, protestojnë përfaqësuesit e grupit të Vishegradit. P.sh. Nugat ka më shumë kakao në Gjermani se në Poloni. Prodhime pa cilësi shiten edhe në Ballkan.
A jemi ne fusha depozitimi të plehrave të Evropës? Pse tek ne shiten mallra me kualitet më të dobët se në Gjermani apo Austri? Akuza të tilla mund të dëgjohen edhe në Çeki apo Sllovaki. Konsumatorët nuk janë të sigurtë se vërtetë blejnë gjërat, të cilat u premtohen në reklama. Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico kritikon ashpër kompanitë multinacionale. Ai thotë se është e papranueshme që në vendet ish-komuniste dërgohen prodhime me kualitet më të dobët se në Evropën perëndimore. Ky është “poshtërim”.
Fico së bashku me homologët nga Çekia dhe Hungaria ka kërkuar që Bashkimi Evropian të ushtrojë presion për kontrollin e prodhimeve. Grupi i Vishegradit thonë se në “BE nuk guxon të ketë ndarje të tilla të kualitetit të prodhimeve”, thotë kryeministri i Çekisë, Buhuslav Sobotka. Testimet i ka bërë Ministria e Bujqësisë në Bratislavë dhe ato kanë treguar se gati gjysma e prodhimeve që shiten në Sllovaki janë më të dobëta se ato në Austri. Dallime ka në përmbajtjen e mishit, në sasi, djath.
Prodhimet në Gjermani me kualitet më të mirë
Millosh Lauko nga shoqata e konsumatorëve thotë se prodhimet në vendet e tyre janë me kualitet më të dobët, por jo edhe më të lira. Ndërsa kritikët e grupit të Vishegradit thonë se ata po përpiqen në fakt vetëm të gjejnë një temë të re populiste, e cila i bashkon. Në kohën e krizës se refugjatëve ata nuk janë pajtuar me propozimet e Brukselit për shpërndarjen e tyre – ndonëse në këto vende gati që nuk ka pasur asnjë refugjatë. Tani dëgjohen akuza edhe për diskriminime tregtare.
Revista për konsumatorët „DTest” në Pragë ka botuar në vjeshtë rezultatet e një analize të prodhumit Nugat në Gjermani, Itali, Poloni dhe Sllovaki. Fitues i testit ka qenë prodhimi në Gjermani, sepse ka pasur më shumë përqindje të kakaos. Por ka pasur edhe kritika të tjera, thotë kryeredaktorja e gazetës, Hana Hofmanova.
Debati kontrovers
Lubosh Palata thotë se i gjithë debati është kontrovers. Këto vende kërkojnë në njërën anë më shumë kontroll, ndërsa në anën tjetër thonë se nuk i duan “diktatet e Brukselit”, si për shembull kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit. „Kemi të drejtë të kemi kualitet të njëjtë prodhimesh si i gjithë BE, por duhet të kemi edhe nivelin e njëjtë të demokracisë”, thotë ai.
Të brengosur janë edhe politikanët e Rumanisë, të cilët pohojnë se në supermarketet e tyre po paraqiten gjithnjë e më shumë prodhime më të lira nga vende të tjera. Ndaj në këtë vend është miratuar edhe ligji që parashikon që në supermarkete të ketë të paktën 51 % të prodhimeve vendore. BE ka nisur një procedurë kundër këtij vendimi. (dw)