Sulm ndaj Shtëpisë së Alfabetit

Manastiri AlfabetiPersona të panjohur sulmuan të martën në mëngjes Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në qytetin e Manastirit, në jug të Maqedonisë.

Sipas përfaqësuesve të muzeut, ata hodhën shishe me benzinë në shtëpinë ku para 108 vjetësh u vendos për të ardhmen e alfabetit shqip.

Autoritetet thanë se personat që sulmuan ishin përpjekur ta digjnin muzeun por nuk kishin arritur dhe kishin thyer vetëm xhamat.

Sulmi ishte regjistruar nga kamera e sigurisë e vendosur në objekt dhe regjistrimi iu dorëzua policisë, e cila tha se po përpiqet të gjejë autorët.

Shtëpia e njohur i përkiste familjes Qiriazi. Vitet e fundit ajo ka qenë disa herë në shënjestër të sulmeve vandale. Në Manastir dhe rrethinat e tij, shqiptarët përbëjnë rreth 4 për qind të popullatës. Një pjesë e tyre u detyrua të shpërngulet gjatë konfliktit të vitit 2001.

Për ngjarjen reagoi dhe ministria e Jashtme e Shqipërisë duke dënuar sulmin e ndodhur “në këtë ditë të shënuar për gjuhën shqipe dhe të gjithë shqiptarët”, 130 vjetorin e hapjes së Mësonjtores së parë në gjuhën shqipe. Tirana i kërkon autoriteteve të Maqedonisë “zbardhjen sa më shpejt të këtij akti vandal dhe dënimin e autorëve. Besojmë se këto sulme janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme, frika, mungesa e informacionit dhe retorika e dëmshme e kohëve të fundit”, nënvizon deklarata duke shtuar se “historia, tradita, gjuha e kultura e popullit shqiptar janë vlerë e shtuar për fqinjët tanë në Maqedoni dhe se ruajtja e tyre tregon vlerat më të larta demokratike e njerëzore”.

Ndërsa thekson se “Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë miq të përhershëm të Maqedonisë”, ministria e Jashtme shqiptare i bën “thirrje të gjitha palëve të ruajnë qetësinë dhe të ndalojnë retorikën kundër shqiptarëve, e cila vetëm sa shpërqendron vëmendjen nga problemet reale të vendit, dëmton marrëdhëniet ndëretnike në vend dhe rrugëtimin e saj euro-atlantike”, ndërsa anga ana tjetër i bën “thirrje shqiptarëve në Maqedoni që të mos bien pre e provokimeve por të tregojnë qytetari e maturi dhe të ruajnë besimin se kriza në vend do të zgjidhet në të mirë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”.​ ​(voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>