Bashkimi Europian mbetet i angazhuar në Ballkanin perëndimor dhe do t’i qëndrojë zotimeve të tij, thotë Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, në letrën e dërguar anëtarëve si ftesë për mbledhjen e këshillit të enjten.
“Do ta shohim me kujdes situatën në rajon, e cila është mjaft e brishtë. Do të shohim gjithashtu mënyrat si duhet vepruar përballë objektivit tonë të përbashkët të forcimit të mbrojtjes dhe sigurisë së Europës”, shkruan Tusk.
Takimi do të fokusohet edhe në zgjedhjen e Presidentit të Këshillit Europian për periudhën qershor 2017-nëntor 2019, ndërsa do të preken dhe tema të tjera si emigracioni, ekonomia dhe mundësia e krijimit të një zyre të Prokurorit Publik të BE-së.
Një ditë pas kësaj mbledhjeje, krerët e shteteve apo qeverive të 27 vendeve të bllokut do të kenë një takim jozyrtar mbi përgatitjet e 60-vjetorit të Traktatit të Romës.
/ Top Channel