Janë të vazhdueshme shenjat e marrëdhënieve të tensionuara ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Ditën e hënë, Shtetet e Bashkuara ngritën akuza ndaj tre shtetasve rusë për lidhje me një rrjet spiunazhi rus, një akuzë të cilën Rusia e mohon. Këto akuza shërbyen për të rritur kritikat e SHBA ndaj mbështetjes së Moskës për separatistët në Ukrainë. Analistët thonë se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë acaruar edhe përpara këtyre incidenteve.
Evgeny Buryakov, është një ndër tre personat e akuzuar nga Shtetet e Bashkuara se është pjesë e një rrjeti spiunazhi rus.
Rusia i hodhi poshtë akuzat e Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet zëdhënësit të ministrisë së jashtme, Alexander Lukashevich, i cili tha se fajin e kanë Shtetet e Bashkuara.
“Marrëdhëniet ruso-amerikane janë prej kohësh në një periudhë të vështirë. Duket se SHBA duke vepruar me parimin ‘sa më keq, aq më mirë’, ka vendosur të fillojë një tjetër raund fushate anti-ruse.”
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia shkëmbyen akuza rreth incidentit të spiunazhit vetëm pak ditë pasi një sulm në qytetin Mariupol të Ukrainës shkaktoi disa vdekje civilësh.
Sulmi ngjalli një valë të re kritikash nga Perëndimi kundër Rusisë, e cila siç thonë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët po armatos dhe mbështet separatistët në Ukrainë.
Ndërhyrjet e Rusisë në Ukrainë mund të vështirësojnë bashkëpunimin e SHBA me Rusinë për çështje të tjera, thotë Ndihmës Sekretarja e Shtetit Victoria Nuland, e cila foli tek Instituti Brookings.
“Nuk mund të vazhdojë ky lloj bashkëpunimi kur Rusia thyen rregullat e sistemit ndërkombëtar prej të cilit kërkon të përfitojë; kur gllabëron pjesë të territorit të fqinjëve të saj dhe pastaj kërkon t’i zhysë në një nënshtrim ekonomik dhe politik.”
Problemet në marrëdhëniet SHBA – Rusi kanë filluar kohë përpara këtyre incidenteve të tanishme, thotë analisti për Rusinë, Stephen Blank.
“E kam thënë prej vitesh se Shtetet e Bashkuara duhet të rikonceptojnë politikat ndaj Rusisë, kohë përpara Ukrainës dhe incidentit të fundit të spiunazhit.”
Zoti Blank i tha shërbimit në gjuhën ruse të Zërit të Amerikës se Moska ka kryer agresion ndaj fqinjëve të paktën që në vitin 2008.
“Është një iluzion se mund të kemi marrëdhënie normale me Putinin, edhe nëse ai e lë Ukrainën të qetë. Qeveria e tij është e prirur të rrënojë të gjithë strukturën e sigurisë në Evropë për të mbajtur Putinin në pushtet.”
Shtetet e Bashkuara janë duke rimenduar marrëdhënien me Rusinë, thotë drejtori për studimet ruse, Leon Aron. Por, ai thotë se sanksione shtesë mund të mos sjellin rezultatin e dëshiruar në Ukrainë.
“Në këtë pikë, Putini nuk shqetësohet shumë për sanksione të shtuara. Në fakt, sipas analistëve dhe shtypit rus, ndjesia e tyre është se tashmë kanë tejkaluar dhimbjen e sanksioneve, izolimit diplomatik dhe presionit, dhe se tani madje janë gati të përqafojnë realitetin.”
Megjithë tensionet për Ukrainën, ka ende hapësira për bashkëpunim, thotë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki.
“Ka sigurisht çështje për të cilat mendojmë se mund të vazhdojmë të bashkëpunojmë, si negocimi me Iranin, bisedime të cilat janë në vazhdim.”
Zonja Psaki thotë se për krizën në Ukrainë dhe çështje të tjera, Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të qarta rreth angazhimit të Rusisë, por tha se shpresa për hapësira bashkëpunimi mund të vazhdojë. (voa)