Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, tha të enjten në Sarajevë se të gjitha vendet e bllokut janë të përkushtuara për integrimin e vendeve të Ballkanit perëndimorë, por tërhoqi vërejtjen se rajoni nuk duhet të lejojë pengesa në përparimin drejt këtij qëllimi.
Ai u bëri thirrje vendeve të Ballkanit që “të mos luajnë me zjarrin”, por të përfitojnë nga ripërtëritja e angazhimit të BE-së ndaj rajonit.
Zoti Hahn i bëri këto komente në takimin e lartë në Sarajevë të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, të cilët në një deklaratë të përbashkët ritheksuan se synimet kryesore të të gjitha vendeve të rajonit janë integrimi evropian, bashkëpunimi ekonomik dhe lidhja infrastrukturore. Në takim morën pjesë kryeministrat e Bonjës e Hercegovinës, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedoninë.
Zoti Hahn tha se takimi i mbajt në një periudhë kur vendet e rajonit po përballen me kriza të brendshme politike që nganjëherë rrezikojnë edhe tensione të rënda etnike. Në të njëjtën kohë, tha ai, shihen edhe ndërhyrje të pashembullta nga lindja, ndërsa nuk është e qartë se cila është qasja amerikane ndaj rajonit.
Por, ai vuri theksin tek fakti se vendet anëtare të Bashkimit Evropian një javë më parë konfirmuan përkushtimin ndaj rajonit dhe atë në një kohë kur vete blloku po përballet me probleme.
“Edhe njëherë i sigurova kryeministrat për seriozitetin dhe interesin e fuqishëm të Bashkimit Evropian për të punuar në integrimin e mëtejmë të rajonit, drejt anëtarësimit në të ardhmen të të gjitha vendeve të rajonit“, tha ai.
Zoti Hahn mbështeti idenë e kryeministrave te rajonit për një treg të përbashkët në rajon për të shmangur pengesat dhe për të lejuar lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve.
“Kjo do të lejonte krijimin e mbi 80 mijë vendeve të punës në rajon deri në vitin 2025“, tha zoti Hahn duke nënvizuar se një treg i përbashkët i rajonit përfshinë 20 milionë banorë.
Takimi i sotëm ishte në vazhdën e atij që është quajtur procesi i Berlinit, i organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimorë. Procesi qe hapur në gusht të vitit 2014 në një konferencë në Berlin ku i ishte kërkuar Bashkimit Evropian një ndarje më e favorshme e fondeve të tij për rajonin.
Takimi i Sarajevës ndodhi në një periudhë marrëdhëniesh të tensionuara në Ballkanin Perëndimor, dhe shqetësimeve në rritje për paqëndrueshmërinë e rajonit dhe ndërhyrjen e Rusisë, e cila nuk i sheh më sy të mirë integrimet evropiane dhe posaçërisht anëtarësimin e vendeve të rajonit në NATO. (voa)