Johannes Hahn, pritet me protesta në Shkup

protestaKomisionari i Bashkimit Evropian për politika të fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn, u prit në Shkup me protesta të përkrahësve të partisë VMRO DPMNE të ish kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Zoti Hahn bashkë me një grup euro parlamentarësh, arriti të martën në Shkup në një përpjekje për të ndihmuar daljen nga kriza politike të Maqedonisë e cila edhe pas më shumë se tre muajsh pas zgjedhjeve ende është pa qeveri.

Protestuesit hodhën parulla si “Nuk e japim Maqedoninë” dhe “nuk do të lejojmë shqiptarizimin e shtetit”.

Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, ka refuzuar t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë shumicës së re parlamentare, përkatësisht Lidhjes Social Demokrate me partitë shqiptare, me arsyetimin se ato do të rrezikonin sovranitetin e shtetit duke zbatuar atë që ai dhe partia VMRO-DPMNE e quajnë “platforma e Tiranës”, e që ka të bëjë me avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni. Ndër pikat kryesore të marrëveshjes së partive shqiptare është zyrtarizimi i gjuhës shqipe në të gjithë nivelin e pushtetit qendror.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, tha se partia e tij është duke përgatitur një dokument i cili do t’u ofrohet të gjitha partive më të mëdha, për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Ai nuk ka shpalosur hollësi të dokumentit që sipas tij, “nuk favorizon asnjë parti politike ndërsa ruan karakterin unitar të shtetit”. Ai ka përsëritur qëndrimin për zgjedhje të parakohshme, por edhe gatishmërinë që t’i jep mbështetje LSDM-së për themelimin e qeverisë “nëse ajo heq dorë nga mbështetja për platformën e partive shqiptare”.

Zoti Hahn, para fillimit të takimeve të së martës bëri thirrje “për respektimin e demokracisë dhe shumicës parlamentare. Mos nxitni tensione ndëretnike”, shkroi ai para se të arrinte në Shkup.

Kabineti i presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, tha se presidenti i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Hungari, do të kthehet në orët e vona të mbrëmjes që i pamundëson, siç thuhet, “takimin me komisionarin Hahn”. Madje ai kishte hedhur idenë që në vend të takimit me të, zoti Hahn të takohej me protestuesit.

Presidenti Ivanov, që vjen nga radhët e VMRO-DPMNE-së, është gjetur nën trysninë ndërkombëtare për të rishqyrtuar refuzimin për t’i dhënë mandatin kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe analistët thonë se acarimi i përplasjeve politike mund të dalë jashtë kontrollit, duke i rritur më tej tensionet etnike në një rajon të trazuar, siç është Ballkani perëndimorë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>