Në harkun e një jave kombëtarja shqiptare e futbollit regjistroi disfatën e dytë, këtë herë në një ndeshje që kishte vetëm vlera miqësore, por do të reflektohet në renditjen e FIFA-s.
Kuqezinjtë humbën 1-2 ndaj Bosnjës në stadiumin “Elbasan Arena” në një 90-minutësh ku treguan shumë pak grintë dhe u zgjuan vonë përballë ballkanasve.
Në një ndeshje ku trajneri De Biasi kishte bërë shumë ndryshime në formacionin titullar, baraspesha zgjati vetëm 7 minuta. Një gabim në prapavijë nga Frederik Veseli na ndëshkoi me një penallti, e cila u konvertua në gol nga sulmuesi Edin Dzeko.
Kuqezinjtë kërkuan të reagojnë, por aksionet në portën e Begoviç u limituan në tentativat aspak efektive të Hykës dhe Balajt.
Pak para pushimit mesfushori i Lacios, Senad Luliç dyfishoi rezultatin. Stadiumi “Elbasan Arena”, gjysmë i boshatisur, tregonte më së miri problemet mes federatës dhe grupimeve të tifozërive, por ata mbështetës që kishin zgjedhur shkallët e impiantit, gëzuan me golin e vetëm kuqezi, atë të shënuar nga Bekim Balaj.
Sulmuesi shkodran tundi rrjetën me kokë pas një krosimi të Hykës, por ofensiva finale nuk evitoi dot humbjen e Shqipërisë.
/ Top Channel