Disa rrugë të Kosovës bllokohen për të kundërshtuar vizitën në Kosovë të zyrtarëve të qeverisë së Serbisë. Reagon Presidenti i Kosovës dhe BE-ja.
Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç e anuloi vizitën e tij në Kosovë, që e kishte të planifikuar në kuadër të fushatës për zgjedhjet Presidenciale të Serbisë, edhe pse kishte marrë lejen nga qeveria e Kosovës. Vuçiç, kandidat për President të Serbisë, pasi kishte kuptuar që qeveria e Kosovës i ka dhënë leje vetëm për tre orë që të qëndrojë në Kosovë, anuloi vizitën, duke thënë se “ndihet i ofenduar dhe nuk pranon të marrë urdhëra nga Prishtina”.
“Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që vizita ime në Leposaviq të zgjasë vetëm tri orë dhe të mos shoqërohem nga ministri i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviç, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviç. Nuk vjen në konsiderim ky presion dhe cirku çfarë ka bërë Prishtina”, ka thënë Vuçiç për televizionin publik të Serbisë.
Për të kundërshtuar vizitën e mundshme të Aleksandar Vuçiçit në Kosovë dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë së Serbisë, shumë rrugë të Kosovës u barrikaduan nga protestues shqiptar. Për barrikadimin e këtyre rrugëve reaguan edhe autoritetet më të larta të Kosovës, ato të Bashkimit Evropian dhe të vet qeverisë së Serbisë.
Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se “barrikadat, të cilat janë vendosur në Kosovë në një aksion të sinkronizuar dhe të organizuar, janë në fakt sulm ndaj serbëve në Kosovë, në lirinë e tyre të lëvizjes, por edhe në të drejtën e tyre që të zgjedhin”. Sipas tij, “qarqet politike në Prishtinë tregojnë frikën nga mbështetja, të cilën kryeministri Aleksandër Vuçiç gëzon tek serbët e Kosovës”.
Edhe Bashkimi Evropian reagoi lidhur me barrikadimin e disa rrugëve në Kosovë. Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijancic, tha, se b”BE-ja i ka mirëpritur vizita të tilla të planifikuara në bazë të marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-Ja”.
“Është për të të ardhur keq se si kohëve të fundit vizitat e planifikuara në bazë të këtyre marrëveshjeve nuk po realizohen. Ne kemi marrë raporte rreth bllokimit të rrugëve, duke parandaluar njerëzit që të marrin pjesë në tubimet në veri të Kosovës. BE-ja kërkon nga autoritetet përkatëse në Kosovë që të sigurojnë kushtet për njerëzit që dëshirojnë të marrin pjesë në këto tubime”, tha Maja Kocijancic.
Një tubim i serbëve ishte parashikuar që të mbahet në Leposavic në veri të Kosovës, i fundit para zgjedhjeve presidenciale të së dielës (02.04)në Serbi.
Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj bllokimit të disa rrugëve në Prishtinë, Gjilan, Shtërpcë, Mitrovicë dhe Rahovec, duke thënë, se “bllokimi i rrugëve është bllokim i rrugëve të Kosovës në botë”.
“Kjo qasje është tërësisht e papranueshme, sepse liria e lëvizjes, liria e tubimit, liria e mendimit politik dhe liria e shprehjes janë të garantuara me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Këto vlejnë për çdo qytetar të Kosovës dhe askush nuk do të lejohet që t’i cenojë këto të drejta, pa marrë parasysh dallimet në bindje e qëndrime. Nga bllokimi i rrugëve përfitojnë vetëm ata që nuk ia duan të mirën Kosovës”, tha Presidenti Thaçi. Sipas tij, institucionet shtetërore duhet ta garantojnë mbrojtjen e këtyre lirive për secilin qytetar.
Sidoqoftë, policia e Kosovës bëri të ditur se ka ndërmarrë të gjitha masat për të zbllokuar rrugët kryesore dhe për t’u mundësuar serbëve të rajoneve tjera që të marrin pjesë në tubimin në Leposaviq në veri të Kosovës, në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet Presidenciale të Serbisë. Këto zgjedhje do të mbahen edhe në Kosovë. Në grumbullimin e votave do të angazhohet misioni i OSBE-së, ndërsa numërimi i tyre do të bëhet në Serbi nga komisioni republikan zgjedhor i Serbisë. (dw)