Shifrat zyrtare tregojnë për nivele të ulëta të shkëmbimeve tregtare me Kosovën, pavarësisht disa mbledhjeve të përbashkëta të qeverive për të rritur bashkëpunimin ekonomik.
Sipas INSTAT, eksportet e Shqipërisë me Kosovën përbëjnë rreth 7% të totalit të eksporteve, ndërsa importet vetëm 1%.
E ndërsa për Shqipërinë, Italia dhe Greqia vijojnë të mbeten partnerët kryesorë tregtarë, bizneset kosovare duket se preferojnë më shumë ato serbe.
“Marrëdhëniet Kosovë-Serbi nuk janë të mira, por bizneset kanë një obsesion psikologjik. Bizneset shqiptare preferojnë ato greke dhe kosovarët ato serbe. Duhet të ketë më shumë takim mes bizneseve se qeverive”, tha Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës.
Vetë bizneset ankohen për problemet që u shfaqen në doganë.
“Certifikatat fitosanitare për shembull. Kosova na bllokon neve, ne bllokojmë Kosovën. Është një çështje që duhet zgjidhur”, deklaroi Alban Zusi.
“Këtu ka një problem, laboratori ynë është i certifikuar, ai i Kosovës jo”, tha ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi.
Për zëvendës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, David Muniz, të vetme, Shqipëria dhe Kosova janë dy tregje të vogla por të bashkuara ato mund të jenë më të forta.
Për të thithur më shumë investime amerikane dy vendet duhet të ecin përpara me reformat dhe për Shqipërinë kryefjala është reforma në drejtësi.
“Qeveria po punon fort për të promovuar reformën për të ardhmen europiane të Shqipërisë, por edhe si incentiv për investimet”, tha Muniz.
/ Top Channel