Bashkimi Evropian bëri thirrje sot që opozita të rikthehet në parlament dhe të vazhdojë puna për reformën në drejtësi.
Dy zyrtarët e lartë të B.E.-së, shefja e politikës së jashtme Federica Mogherini dhe komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn përmes një deklarate të përbashkët shprehin keqardhje që opozita po bojkoton parlamentin dhe që nuk u regjistrua për të marrë pjesë në zgjedhje. “Debati politik”, thuhet në deklaratë“nuk duhet të zhvillohet jashtë, por brenda parlamentit, në përputhje me praktikat demokratike”.
Dy zyrtarët evropianë u bëjnë thirrje partive politike të përfundojnë krijimin e institucioneve të “vetingut”, vlerësimit dhe verifikimit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Dy zyrtarët evropianë, mesa duket në një referencë ndaj kritikave të fundit që kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka bërë reformës në drejtësi, theksojnë se “Goditja e reformës në drejtësi, në vend të punës për të siguruar zbatimin e “vetingut”, nën mbikqyrjen e ngushtë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, dëmton të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”.
Sot paradite, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e sulmoi me tone të ashpra ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve duke e cilësuar atë si një projekt mafioz, që synon t’ia dorëzojë sistemin e drejtësisë kryeministrit Edi Rama.
Zoti Basha tha se në këtë projekt janë përfshirë dhe diplomatë të lartë në Tiranë, duke iu referuar qartazi ambasadores së Delegacionit të Bashkimit europian Romana Vlahutin.
“Ne presim që anëtarët e parlamentit të Shqipërisë të tregohen të përgjegjshëm, të aftë për të vepruar brenda kornizës së ligjshme institucionale demokratike dhe të aftë për të qëndruar pranë popullit shqiptar, që kërkon fillimin e procesit të “vetingut” dhe reformimin e drejtësisë, si një hap jetik për vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e përbashkët Mogherini-Hahn.
Ndërsa parlamenti votoi mbrëmë për ngritjen e Komisionit të posaçëm, i cili duhet të bëjë përzgjedhjen e anëtarëve të strukturave që do të realizojnë procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë, kreu i opozitës foli me tone të forta kundër ligjit të hartuar për këtë proces.
Ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka patur një mbështetje të hapur si nga ambasadori amerikan Donald Lu ashtu dhe nga ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian Romana Vlahutin.
Bojkoti i parlamentit nga ana e opozitës ka bllokuar procesin e rivlerësimit, i cili konsiderohet si kushti kryesor që vendi të mund të shpresojë hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian. (voa)