Sistemet e monitorimit të kontrabandës në det të hapur

sistem monitorimi detQindra anije po lundrojnë me pajisje të fikura dhe po ndryshojnë kurs, duke ngritur shqetësimin se trafikimi i armëve, emigrantëve dhe drogës po ndodh pa u diktuar. Teknologjia e re u mundëson autoriteteve të ndjekin rrugët e anijeve të dyshimta, por ekspertët e sigurisë thonë se luftimi i kontrabandistëve kërkon një koordinim më të madh.

Nëntëdhjetë për qind e tregtisë botërore realizohet përmes transportit detar. Çdo anije ka një numër identifikimi të lëshuar nga Organizata Ndërkombëtare Detare e Kombeve të Bashkuara, IMO. Por anijet mund të ndryshojnë identitetin e tyre dhe t’u shmangen monitorimit.

Kompania izraelite Windward ka ndërtuar një program për të gjurmuar këto ndryshime.

Këtu, sistemi gjurmon në hart lëvizjen e një anije mallrash që po udhëtonte nga Kina në Korenë e Veriut.

“Drejtuesit e kësaj anije qëllimisht po ndryshojnë të gjithë numrat identifikues. Ata po ndryshojnë edhe emrin, madhësinë e saj, flamurin dhe emrin e pronarit të saj. Çdo gjë mund të mësohet përmes gjurmëve të saj dixhitale. Natyrisht dikush po përpiqet të anashkalojë sanksionet ndaj Koresë së Veriut” thotë presidenti i kompanisë, Ami Daniel.

Në një hetim të përbashkët me gazetën Times në Londër, kompania Windward tregon se në janar dhe në shkurt mbi 1000 shkëmbime mallrash u zhvilluan në det. Ekspertët e sigurisë kanë frikë se këto shkëmbime përfshijnë drogë, armë, dhe madje edhe njerëz.

Aktiviteti i dyshimtë mund të diktohet duke krahasuar udhëtimet e mëparshme të anijeve. Në mes të janarit kjo anije me flamur të Qipros devijoi nga linja e saj e zakonshme mes Afrikës Perëndimore dhe Evropës veriore duke vizituar Ukrainën, dhe disa herë gjatë këtij udhëtimi drejtuesit e saj çaktivizuan sistemin e monitorimit.

“U larguan nga Ukraina në drejtim të Evropës përmes Ngushticës së Bosforit. Gjatë udhëtimit ajo disa herë çaktivizon sistemet e monitorimit, që në këtë hartë përfaqësohen nga vizat e ndërprera. Anija kalon Maltën dhe arrin në një vend në lindje të Gjibraltarit. Kjo zonë është e njohur për shkëmbime mallrash mes anijeve dhe kontrabandë për shkak të afërsisë me Afrikën Veriore” thotë zoti Daniel.

Sipas rregullave globale të gjitha anijet duhet të raportojnë portin e tyre të fundit kur të arrijnë në një port të ri.

“Por, kur kjo anije bën një transfertë këtu, ajo në fakt nuk telefonon portin sepse kjo transfertë po bëhet në mes të oqeanit. Pra, drejtuesit e saj kanë gjetur një mënyrë për të anashkaluar raportimin tek autoritetet” thotë ai.

Më në fund anija arrin në ishullin e largët skocez, Islay, por ankorohet rreth 400 metra largë gjirit të braktisur. Qëllimi i këtij udhëtimi ende nuk është identifikuar.

Zoti Daniel thotë se përdorimi i këtij lloji informacioni për hetimin e anijeve të dyshimta kërkon vullnet politik, si dhe teknologji të sofistikuar.

“Rregulla, koordinim, legjislacion. Dhe pastaj prova në gjykatë. Këto elemente nuk i posedojmë çdo herë. Rrugët në det të hapur, rreth 370 kilometra hapësirë, ende nuk janë të rregulluara. OKB-ja është ende duke punuar në këtë çështje. “

Shkalla e kontrabandës rreth bregdetit të Shteteve të Bashkuara u pa disa javë më parë, kur Roja Bregdetare kapi 660 kilogramë kokainë në brigjet e Floridës, me vlerë prej rreth 420 milionë dollarësh. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>