Në Shqipëri ka dështuar dhe takimi i dytë, sot në mbrëmje mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. Pas më shumë se dy orësh të dy kanë dalë nga mjediset e presidencës, me të njëjta pozicione nga të cilat ishin ndarë një ditë më parë.
Kryeministri përsëriti se ai kishte paraqitur të njejtën ofertë, atë të emërimit të një zëvendës-kryeministri, të porpozuar nga opozita, por jo anëtar i saj, i cili së bashku me një përfaqësues të zgjedhur nga Bashkimi Europian, një përfaqësues të zgjedhur nga Shtetet e Bashkuara, dhe një përfaqësues të zgjedhur nga OSBE-ja do të ketë detyrën e monitorimit të plotë të sjelljes së shtetit në fushatë. Përveç zëvendëskryeministrit opozitës i është ofruar po ashtu një zëvendësministër i Brendshëm, përfshirë një zëvendësdrejtor të përgjithshëm të policisë dhe 12 zëvendësdrejtorë policie në qarqe që të kontrollojnë rolin e policisë, një zëvendësministër të Arsimit për të mbikqyrur dhe ndërhyrë menjëherë në rast të shkeljeve nga ana e trupave mësimore, si dhe një zëvendësministër të Drejtësisë për të vëzhguar procesin zgjedhor në burgje. “Një ofertë tjetër nuk e kemi dhe nuk do ta kemi sepse nuk shohim hapësirë për më shumë”.
Por për kryetarin e opozitës, “propozimi i zotit Rama ishte një mos-ofertë për zgjidhje”. Sipas zotit Basha situata e rëndë në të cilën gjendet vendi për shkak të lidhjes që sipas tij pushteti ka vendosur me krimin dhe narkotrafikun, “nuk mund të zgjidhet me një ofertë për monitorim, por kërkon një zgjidhje politike”. Kreu i opozitës u shpreh se kundërpropozimi i saj mbetet mbetet ai për “një qeveri teknike me mandate për të zgjidhur dhe ndalur influencën e krimit dhe drogës në zgjedhjet e ardhshme, dhe për të krijuar kushtet që qytetarët të votojnë të lirë dhe të pa kërcënuar. Kollona e dytë – shtoi ai – është eksplorimi i mundësisë që brenda 6 muajve të realizohet votimi elektronik”.
Por dhe për këtë çështje zoti Rama ka qenë kategorik, duke nënvizuar se “zgjedhjet do të mbahen më 18 qershor”, duke propozuar që një përfaqësues politik i opozitës, të përfshihet në qeveri dhe të punojë për një projekt i cili nëse certifikohet si i zbatueshëm, të mund të jetë i gatshëm për zgjedhjet e ardhshme vendore”. (voa)