NGJARJA E 27 PRILLIT NË PARLAMENTIN E MAQEDONISË – SFIDA E RADHËS PËR SHQIPTARËT

Shpesh më mundon të kuptoj se çfarë është ajo që na dëmton kujtesën tonë historike (madje dhe atë të afërt), gjykimin tonë politik dhe instinktin për mbijetesë si komb në përgjithësi!? E në veçanti, çfarë është ajo që në momente të volitshme për të ndryshuar pozitën e tyre përmes ndryshimit të statusit kushtetues në Maqedoni, i bën shqiptarët që të fillojnë të flasin për multietnicitet, multikulturë, stabilitet të regjionit etj?

Gjërat që lexova në dy shkrime të këtyre ditëve dhe deklaratat e politikanëve aktual dhe mbështetësve të tyre militante, më tmerruan me idetë e vëllazërim-bashkimit të kohës së RSFJ.

Është mentaliteti prej skllavi i nënshtruar, i rrënjosur thellë në vetëdijen e një popullate që ka jetuar me breza nën kushte terrori? Apo mbisundon zëri i profiterëve injorantë “të shkathët” që fërkojnë duart të kënaqur që nga kjo fatkeqësi e bashkëkombësve bëhen të pasur brenda natës, ndërkohë që pjesa tjetër qëndrojnë të nënshtruar dhe të heshtur, të lumtur që kanë arritur të sigurojnë mbijetesën fizike për vete dhe familjet e tyre?

Pas ngjarjes së 27 prillit në parlamentin maqedonas dhe rrahjes barbare para kamerave të z. Selës, nuk u besoja syve se çfarë lexoja në një shkrim të stilit “Boro e Ramizi “ të kohës së RSFJ, me titull “Sela dhe Zaev u gjakosën për ne”: Zoran Zaev, líder i partisë maqedonase LSDM, në luftën e tij për pushtet na paraqitej si shpëtimtar i shqiptarëve, ndërsa z. Sela si hero, sepse sipas artikullshkruesit, u largua nga vendi ku ishin bashkë me z. Zaev, për të tërhequr pas vetes paramilitarët e VMRO dhe me këtë për ta mbrojtur z. Zaev, pothuajse me jetën e tij! Dhe qe kjo çmenduri të jete akoma më “e besueshme”, edhe vetë z. Zaev në një intervistë deklaron se kjo është e vërtetë, dhe se këtë ja ka deklaruar vetë z. Sela gjatë vizitës që i bëri në spital!?
Në një shkrim tjetër të po atyre ditëve, me titull “Po të vdiste Sela, mbaronte Maqedonia” lexova gjëra akoma më tmerruese. Nuk di se çfarë ka dashur të thotë artikullshkruesi, por nga ajo që ka shkruajtur në këtë shkrim del që ai i konsideron asgjë viktimat e shumta të pafajshme shqiptare, të vrara nga njëra nga këto dy parti maqedonase në pushtet, para ngjarjes së 27 prillit në Parlamentin e Maqedonisë, kur siç thotë ai “ra shteti, u vra demokracia”. Paramendoni sa përzemër e ka Maqedoninë me rregullimin shtetëror unitar, ky opinionist shqiptar! Sipas tij, demokracia në Maqedoni ka funksionuar në kohën kur u masakruan shqiptarët në Kumanovë, Brodec, Gostivar, Reçicë të Vogël – Tetovë, Bit Pazar të Shkupit, kur u likuidua pa gjyq Harun Aliu me shokë …!?
Njëkohësisht, në rrjetet sociale vërshuan shpalljet e heronjve, datave historike …
Sinqerisht, prisja qe ndonjëri nga intelektualët, anëtarë të LRPDSH, disa nga ta miq të mi, në pamundësi të z. Sela, te dalin me një deklarate të matur, sqaruese dhe kthjelluese për anëtarësinë dhe simpatizantët e tyre, por edhe për opinionin e gjerë, me kërkesën që të ndalojnë me shpalljen patetike të heronjve. Të sqarojnë opinionin se kjo që ndodhi në parlament, nuk tregoi heroizmin tonë, po pafuqinë tonë dhe faktin e të qenit akoma sot e kësaj dite viktimë brutale e shovinizmit maqedonas, në saje të pozitës dhe statusit akoma të parregulluar kushtetues. Se z. Sela u rrah në mënyrë barbare nga shovinistët maqedonas jo duke bërë heroizma, por duke tentuar themelimin e një qeverie koalicioni, për shqiptarët pothuajse e njëjtë me atë të kaluarën. Me po ata shqiptarë që ishin në pushtet, që nga viti 2001, në koalicion herë me njërën parti maqedonase e herë me tjetrën, ndjekur nga dhuna dhe masakrat ndaj shqiptarëve gjatë gjithë kohës të qenit në pushtet.
Por kjo, për fat të keq nuk ndodhi. Përkundrazi, ngjarja e 27 prillit në parlament për shqiptarët la pas vetes shumë pyetje dhe dyshime: rrëzimi i z. Gruevski dhe VMRO-së nga pushteti dhe zëvendësimi me LSDM-në në krye me z. Zaev, u bë qëllim në vete për shqiptarët? Kanë besim shqiptarët akoma tek z. Zaev dhe LSDM pas deklaratave mospërfillëse lidhur me kërkesat e platformës dhënë gazetës serbe Kurir pak ditë pas ngjarjes së 27 prillit? Do kthehet pas kësaj z. Sela në po atë parlament të Maqedonisë, ku u rrah dhe u tërhoq zvarrë në mënyrën më jonjerëzore? Çfarë mbrojtje të interesave të votuesve të tij do t’u sigurojë ai me pjesëmarrjen e tij të mëtutjeshme në këtë parlament, ku ai nuk ishte në gjendje për të mbrojtur as jetën e tij?
E vetmja shpresë ngelet që kjo ngjarje shumë domethënëse dhe e freskët, t’u shërbejë si mësim shqiptarëve se nuk ua mbron jetën, mirëqenien dhe të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre buzëqeshja dhe “fjala e nderit” e Zaevit, apo cilido përfaqësues tjetër nga pala maqedonase. Platforma “as mish as peshk”, konfuze, të paqarta dhe me kërkesa gjysmake, të pathëna deri në fund, nuk “qetësojnë” palën maqedonase e as zgjidhin çështjen shqiptare në Maqedoni. Në Maqedoninë si shtet unitar, edhe me angazhimin e deklaruar të z. Zaev, shqiptarët do vazhdojnë të jenë të diskriminuar dhe të pasigurt as për jetën e tyre, por edhe maqedonasit sado të privilegjuar të jenë nga ky sistem unitar, do të jenë peng i pakënaqësisë dhe pozitës së rëndë të shqiptarëve. E ardhmja e shqiptarëve por edhe e ardhmja e maqedonasve do vazhdojë të jetë përplot rreziqe e të papritura nga statusi i parregulluar i shqiptarëve dhe kështu do të jetë derisa edhe për shqiptarët të vlejë si për të gjithë kombet e tjera në Evropë, parimi themelor i demokracisë, ai i vetëvendosjes. (Afrim Fanda)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>