Bregu: Europa na ra kokës! PD, sot e izoluar

Majlinda BreguMajlinda Bregu, ish-ministre e Integrimit dhe zë kritik brenda Partisë Demokratike, ka reaguar pas letrës së Komisionerit Johannes Hahn për zgjedhjet e 18 qershorit.

Ajo e quan mesazhin e përçuar nga Hahn një kumt që i drejtohet direkt Partisë Demokratike.

“Johanes Hahn u dërgoi sot, me shqetësim të madh, shqiptarëve një kumt, që për të keq tonë i drejtohet, absolutisht, direkt Partisë Demokratike”, shkruan Bregu në Facebook.

“Kjo është letra më e trishtë që s’do doja të kishte mbërritur kurrë. Kjo ka qenë prej kohësh frika dhe arsyeja e vetme për të cilën kam folur e kërkuar që të paktën me veten e me miqtë të mos flisnim sikur i flisnim murit! Që as Europa e as Uashingtoni, por asnjë shqiptar me arsye të mos na e drejtonte gishtin duke na bërë me turp për vendimet që në fakt nuk u morën, as me diskutim, as me shqyrtim, as me parashikim nga demokratët, por nga kush nuk desh të dëgjojë. Ja ku jemi sot! Izolim!”, vijon Bregu.

“Pasi na foli e u përpoq të na bindë me gjuhë diplomatike e dashamirësi demokratike, me oferta e negociatorë, pasi ra në vesh të shurthët e kokëfortësi, Europa sot vendosi të na bjerë kokës: “Zgjedhjet e 18 qershorit do të zhvillohen pa pjesmarrjen e opozitës. Opozita aktuale, qëllimisht ka bojkotuar zgjedhjet. Demokracia nuk do të pengohet duke bojkotuar institucionet. Veprimet që dëmtojnë të drejtën e qytetarit për të votuar dhe liritë e tjera themelore janë të papranueshme”, shton ajo, duke cituar mesazhin e Hahn.

Bregu e cilëson këtë letër një të keqe të pamerituar për Partinë Demokratike dhe mbështetësit e saj.

“Është e pamerituar për të gjithë ata që e lanë rininë e tyre burgjeve të regjimit komunist vetëm pse donin Europën, e dolën me thinjat e pritjes për ta shijuar më në fund atë. Është i papranueshëm ky qëndrim për të gjithë ata burra e gra që u vranë pa gjyq, pse guxuan të mendonin ndryshe. Është e pamerituar për të rinjtë që po mbeten ende në udhëkryq e për të gjithë ata punonjës të institucioneve shqiptare, që kanë punuar ndër vite, ore e pa orë, për ta afruar Shqipërinë me Europën me të gjitha standartet që kërkon ajo”, thotë ajo.

Sipas Bregut, Europa sot e drejtoi gishtin nga PD-ja, dhe kur u bën thirrje shqiptarëve nënkupton të gjithë demokratëve, të mos bien në të njëjtën humnerë me të.

“Nuk qaj hallin as të kryetarit të PD -se as të ndokujt tjetër që nuk e ndali dot, këtë shkarje, por të atyre qindra mijëra demokratëve që nuk e donin PD-në rrugëve. Kryetari e deshi PD-në në çadër e jo në Parlament; në mosbindje civile e jo në zgjedhje! U gëzua nga e ashtuqujtura “fitore e Kavajës”, që veç si e tillë s’duhej festuar asnjëherë”, thotë deputetja e PD.

“Ikja nga beteja për asnjë arsye nuk është rezistencë ndaj kësaj maxhorance të frikshme, as përballje me Edi Ramen, por dorëzim para të keqes që ka zaptuar të përditshmen e shqiptarëve, duke i dhënë një pushtet të pakufizuar të vetmit që pushtetin e lakmon dhe me të tallet. Parlamenti i nesërm do të jetë i pari në 27 vjet ku “demokracia” do të përdoret për të çrrënjosur demokracinë! Dhe jo vetëm s’do ketë pikë vullneti të luftojë drogën e krimin, por përkundrazi rrezikon ta çojë Shqipërinë drejt presidencializmit turk”, vijon ajo.

Bregu thotë se ka vetëm një rrugë për të mos e lejuar rëndimin e fatit të shqiptarëve dhe copëtimin vetëshkatërrues të PD –së: kurajo e shpresë e të gjithë demokratëve, për të rindërtuar partinë që sot përballet pamerituar, me dilemën të jesh, a të mos jesh!

Reagon edhe Strazimiri

Edhe Gent Strazimiri ka reaguar pas letrës publike drejtuar shqiptarëve nga Johannes Hahn, por ndryshe nga Majlinda Bregu.

“Popull! Pas epidemisë së hashashit, të vrasjeve mafioze, të kriminalizimit dhe pastaj mosdekriminalizimit të pushtetit politik dhe institucioneve, ka shpërthyer anembanë një epidemi “përgjunjeje me përultësi”, që pritet të zgjasë derisa t’u thonë përseri ta ndërpresin. Popull! “Në gjunjë” nuk arrihet asgjë e jo më liria! Në emër të lirisë qëndrohet në këmbë, jo në gjunjë! Në këmbë! Ky është antidoti i vetëm ndaj robërimit e robërisë, sundimit e sundimtarëve”, shkruan në Facebook, Gent Strazimiri.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>