Në Shqipëri, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Brian Yee tha sot se komuniteti ndërkombëtar do t’i njohë zgjedhjet e 18 qershorit edhe nëse nuk do të ketë një marrëveshje dhe opozita nuk do të marrë pjesë, me kushtin që ato të pranohen nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Zyrtari amerikan i bëri këto komente gjatë një takimi me një grup gazetarësh shqiptarë pasi ishte takuar me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e parlamentit Ilir Meta, por përpara se të takohej me kreun e opozitës Lulzim Basha.
Partitë e djathta kanë refuzuar të përfshihen në procesin zgjedhor, duke kërkuar krijimin e një qeverie teknike. Zoti Hoyt Yee tha se “zgjedhjet janë më të mira kur kanë pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme të partive politike, sepse populli i një vendi duhet të përfaqësohet në qeveri”, por shpjegoi ai, SHBA-të “e respektojnë të drejtën e partive për të mos marrë pjesë, dhe të drejtën e tyre për bojkot, por vemë në dyshim arsyet prapa këtij vendimi”. Ai shtoi se nuk ka parë “asnjë bojkot të ndihmojë partinë që po bojkoton apo të ndihmojë vendin ku kjo parti po përpiqet të përfitojë politikisht. Bojkotet nuk funksionojnë; nuk janë një taktikë fituese, dhe padyshim nuk janë as një strategji”, u shpreh ai.
Zyrtari amerikan bëri sërish thirrje palëve që të ulen për të gjetur një zgjidhje, duke saktësuar se: “çdo kompromis, çdo marrëveshje do kërkojë që të gjitha palët të bien dakord. Dhe ka pak gjasa që qeveria për shembull të pranojë një vonesë të pafund të zgjedhjeve. Ajo që ka rëndësi , theksoi ai , është që të ketë bisedë serioze mes partive”, ndërsa paralajmëroi se “koha për të arritur një marrëveshje, nëse do të ketë një marrëveshje, është shumë e kufizuar”.
Sipas tij, baza e dialogut duhet të jetë platforma që u propozua disa javë më parë nga Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian David McAllister. Zyrtari amerikan u shpreh se SHBA-të e mbështesin këtë propozim.“Mendojmë se është një propozim i ndershëm dhe shpresojmë që partitë do ta pranojnë si mjet për të arritur një marrëveshje për të mundur që të marrin pjesë në zgjedhje”, nënvizoi zoti Hoyt Yee. (voa)