Në Tiranë, kriza politike u mbyll me një marrëveshje dypalëshe, ndërsa ekspertët e ekonomisë po studiojnë pasojat, që kriza la mbi bizneset dhe klimën ekonomike të vendit.
Studiuesit mendojnë se bizneset po tkurren, punësimi është minimal dhe një pjesë e madhe e qytetarëve mendojnë të largohen nga vendi.
Viti 2017 është krejt i ngjashëm me vitin e shkuar dhe me një vit më parë sa i takon treguesve ekonomikë, pohojnë studiuesit e ekonomisë, por kriza politike i ka gjetur të papërgatitur të gjitha palët.
Burimet zyrtare flasin për rritje ekonomike kryesisht për shkak të investimeve të mëdha si projekti TAP e ndonjë tjetër.
Por tani komuniteti i biznesit mund të bëjë të improvizojë vetëm projekte dhe pritshmëri realiste, pasi investimet janë frenuar dhe duhet rindërtuar besimi i konsumatorëve, ose së paku nuk duhet të marrë më goditje.
Punësimi vazhdon të jetë në nivele minimale, thotë Zef Preçi, drejtues i Qendrës për Kërkime Ekonomike.
Studiuesit besojnë se ekonomia shqiptare i ka harxhuar burimet tradicionale të rritjes së saj dhe aktualisht është në vështirësi të mëdha.
Drejtuesi i organizatës së biznesit Alb-Konfindustria, Gjergj Buxhuku, thotë se ekonomia shqiptare është në një recesion teorik minus 2 për qind, nëse rritjes ekonomike do t’i zbriten borxhet e shumta qëqeveria ka marrë vitet e fundit dhe ndikimi i projekteve shumëvjecare si TAP.
Sipas analistëve, tani ekonomia ka nevojë për politika të reja, që të zgjerojnë frymëmarrjen e saj, sepse ekonomia vazhdon të funksionojë nën kapacitet dhe duhen harmonizuar më mirë politikat fiskale me ato bankare, sepse kanë dështuar politikat e qeverisë dhe bankës qendrore për të shëndoshur sistemin bankar për shkak të peshës së rëndë të kredive problematike.
Korrupsioni përmes kapjes së shtetit është në rritje dhe mbetet problem dhe rrezik themelor për ekonominë e vendit, sipas tyre.
Nga ana tjetër, zoti Buxhuku i Alb-Konfindustrias, pohon se reformat e thella me nxitjen e ndërkombëtarëve duhen shoqëruar me paketa dhe masa ekonomike, por marrëveshja e fundit politike nuk ka ende një faturë ekonomike, si do të realizohet.
Sipas tij, mbi 30-40 për qind e ekonomisë shqiptare është informale dhe zhdukja e kësaj duhet plotësuar me investime dhe fonde të rregullta nga brenda dhe jashtë vendit.
Krahas korrupsionit, një kërcënim i madh është edhe evazioni fiskal.
Numri i firmave me status pasiv është më shumë se gjysma e firmave me status aktiv.
Evazioni ndodh te firmat me mallra të forta, që kontrollohen nga oligarkia me ndikim në institucionet vendim-marrëse.
Rregullat fiskale ndryshojnë vazhdimisht dhe kjo i pengon firmat të punojnë në normalitet.
Po ashtu, shmanget konkurrenca elektronike dhe janë shtuar kontratat me negocim. (voa)