Rusia hedh poshtë akuzat për ndërhyrje në Maqedoni

terrori mkReagimi i Kremlinit pason një shkrim të gazetës The Guardian të dielën ((https://www.theguardian.com/world/2017/jun/04/russia-actively-stoking-discord-in-macedonia-since-2008-intel-files-say-leak-kremlin-balkan-nato-west-influence)), ku thuhet se disa dokumente të nxjerra nga agjentë maqedonas të inteligjencës tregojnë se “spiunë dhe diplomatë rusë kanë qenë të përfshirë në një përpjekje gati dhjetëvjeçare për të përhapur propagandë dhe për të provokuar përçarje në Maqedoni”.

Sipas shkrimit, agjentët maqedonas ia dorëzuan dokumentet Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) ((https://www.occrp.org/en/spooksandspin/leaked-documents-show-russian-serbian-attempts-to-meddle-in-macedonia/ )).

Dokumentet e nxjerra tregojnë se përpjekjet për të izoluar Maqedoninë nga ndikimi perëndimor janë pjesë e një fushate më të gjerë ruse për të penguar të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë të hyjnë në NATO dhe t’u nënshtrohen interesave politike perëndimore.

OCCRP thotë se pak kohë pasi Greqia bllokoi kërkesën e Maqedonisë për t’u bashkuar me NATO-n në vitin 2008, politika e jashtme e Rusisë, “në përputhje me strategjinë e saj energjitike”, kërkonte të kontrollonte “burimet strategjike të energjisë përmes partneritetit me vendet e Ballkanit” dhe ta bënte Maqedoninë “ekskluzivisht të varur”.

Dosjet e zbuluara përshkruajnë gjithashtu se si Kremlini e realizonte veprimtarinë e tij të spiunazhit. Aty thuhet se tre agjentë nga shërbimi i zbulimit të huaj SVR të Rusisë, të njohur dikur me emrin KGB, janë të stacionuar në Shkup dhe mbikëqyren nga stacioni simotër i SVR në Beograd.

OCCRP thotë gjithashtu se ambasada e Rusisë në Maqedoni ka një numër agjentësh të inteligjencës ushtarake ruse (GRU), “aktivitetet e të cilëve koordinohen nga baza e GRU në Sofje”. Sipas raportit në fjalë, gazetarë nga agjencia shtetërore e lajmeve ruse TASS dhe zyrtarë nga Rossotrudnichestvo, e cila promovon kulturën dhe interesat ruse jashtë vendit, kanë bashkëpunuar me agjentët rusë.

Një qendër kulturore ruse në Uashington, e financuar nga Rossotrudnichestvo u hetua nga FBI-ja në vitin 2013 pasi ishte përpjekur të rekrutonte shtetas amerikanë.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Rusisë thuhet se shkrimi i gazetës The Guardian “nuk është tjetër veçse një përpjekje e trashë për të zhvendosur përgjegjësinë e futjes së shtetit maqedonas në një krizë të thellë”.

“Akuzat boshe kundër Moskës për financimin e medias maqedonase me qëllim të përhapjes së dezinformimit rrjedhin nga një organizatë, sponsorët kryesorë të të cilëve janë strukturat shtetërore të SHBA dhe Fondacioni George Soros,” thuhet në deklaratën ruse.

Deklarata akuzon aktorë të BE-së dhe të SHBA se “nuk dënuan platformën famëkeqe të Tiranës, si manifestim i ideologjisë së Shqipërisë së Madhe”.

Një marrëveshje koalicioni e kohëve të fundit për të zgjedhur një shqiptar si kryetar të parlamentit çoi në protesta të nacionalistëve, të cilët sulmuan parlamentin dhe rrahën disa deputetë, përfshirë kryeministrin maqedonas Zoran Zaev. (voa)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>