Sipas një studimi të fundit, bakteriet fotosintetike dhe drita, ngjallin shpresa për të sëmurët me zemër.
Studiuesit në Universitetin e Standfordit thonë se pasi bakteri u injektua në zemrat e minjve me sëmundje zemre dhe u përdor drita për të nisur procesin e fotosintezës, ata mundën të shtonin nivelin e oksigjenit, duke përmirësuar kësisoj punën e zemrës.
“E bukura është se ky është një rreth vicioz”, thotë Joseph Woo, drejtues i studimit. “Injekton bakterin, i cili thith dioksidin e karbonit dhe me energjinë që marrin nga drita, lëshon oksigjen”
Ky zbulim i rëndësishëm mund t’u vijë në ndihmë atyre që vuajnë nga ishemia kardiake, që ngushton enët e gjakut dhe për pasojë, pakëson furnizimin e muskujve të zemrës me oksigjen.
“Në natyrë, ka një marrëdhënie interesante” shton Woo. “Njerëzit çlirojnë dioksid karboni, të cilin bimët e kthejnë sërish në oksigjen. Gjatë një infarkti, muskujt sërish përpiqen të pompojnë. Ka dioksid karboni, por jo oksigjen. Menduam nëse kishte ndonjë mënyrë për të vendosur qeliza bimore pranë atyre të zemrës, duke prodhuar kështu oksigjen nga dioksidi i karbonit”
Fillimisht, shkencëtarët provuan të përdorin qeliza spinaqi, por kloroplastet, ku kryhet edhe procesi i fotosintezës, nuk ishin në gjendje të jetonin jashtë bimës.
“Prandaj vazhduam kërkimet” thotë zoti Woo, duke shtuar se mundësia tjetër për procesin e fotosintezës ishte bakteria fotosintetike e quajtur cyanobacteria, pasi është “më e fortë” dhe gjatë eksperimenteve tregoi se mund të mbijetojë pranë qelizave të zemrës.
Zoti Woo dhe ekipi i tij, injektoi cyanobacteria në zemrat e minjve, pa anestezi. Pastaj ata bënë krahasimin midis niveleve të oksigjenit te minjtë zemra e të cilëve u ekspozua ndaj dritës dhe atyre që nuk iu ekspozua zemra ndaj dritës.
“Grupit që iu injektua bakteri fotosintetik e që iu ekspozua zemra ndaj dritës, kishte më shumë oksigjen dhe zemra u punonte më mirë,” thotë Woo, duke shtuar se bakteria “u zhduk” brenda 24 orëve. Zemra punoi më mirë për të paktën katër javë, sipas tij.
“Jemi ende në fazat fillestare”, shprehet zoti Woo, për studimin i cili u bë për herë të parë publik në revistën “Science Advances”. (voa)