Pas 8 muajsh radhazi me rritje të shpejtë, eksportet shqiptare u ngadalësuan në qershor. Instituti i Statistikave raportoi se muajin që lamë pas Shqipëria eksportoi 22.5 miliardë lekë mallra, një shifër kjo thuajse e njëjtë me atë të qershorit të vitit të kaluar.
Të dhënat tregojnë se stanjacioni i eksporteve është shkaktuar tërësisht nga grupi i mineraleve dhe energji, të cilat ranë me 2.6 miliardë lekë krahasuar me qershorin e 2016-s, duke asgjësuar plotësisht rritjen e eksporteve në grupet e tjera.
Sipas INSTAT, brenda grupit të energjisë, efekti më i madh ka ardhur nga rënia e eksportit të naftës. Kjo, pasi një pjesë e konsiderueshme e arit të zi që prodhohet në fushën e Patos-Marinzës, tashmë nuk eksportohet më jashtë, por përpunohet dhe tregtohet në tregun e brendshëm.
Megjithatë, pavarësisht rënies së lehtë në qershor, si gjashtëmujor eksportet kanë shënuar rritje dyshifrore mbi 13.5 për qind.
Më konkretisht, sipas INSTAT, për gjysmën e parë të këtij vitit eksportet e mallrave kanë arritur në 133 miliardë lekë, ose 15 miliardë lekë më shumë se sa gjashtëmujori i parë i vitit të kaluar.
Thuajse në të njëjtën vlerë sa eksportet janë rritur edhe importet. Rrjedhimisht defiçiti tregtar i vendit për gjashtëmujorin e parë të vitit ka mbetur i pandryshuar në krahasim me të njëtën periudhë të një viti më parë, rredh 162 miliardë lekë, ose mbi 1.2 miliardë euro.
/ Top Channel