Një tragjedi e rëndë familjare ka ndodhur në një familje shqiptare në fshatin Simnicë të Gostivarit. Të hënën, ndërroi jetë babai ndërsa sot djali i tij 24 vjeçar. Vdekja e 24 vjeçarit M.M, jo zyrtarisht dhe sipas informatave të para që dalin nga Spitali i Gositivarit ka ndodhur si pasojë e kafshimit nga rriqrat. Drejtori i Spitalit të Gostivarit, Ylber Ademi konfirmoi për Globi se pacienti ishte pranuar dje në Spital dhe pas terapisë fillestare është hospitalizuar në Klinikën Infektive të Shkupit. Ademi deklaron që pacienti ishte pranuar me simptoma të etheve, temperaturës së lartë dhe barkëqitjes. Informacioni pritet të konfirmohet pas kryerjes së analizave, ndërkaq, kamerat e televizionit Globi në vendgjarje regjistruan momentin kur edhe një banor i Gostivarit me simptoma të njejta pas pranimit në Spitalin e Gostivarit, u transferua në Klinikat e Shkupit. Drejtori Ademi njoftoi që stafi mjekësor është alarmuar rreth rasteve të fundit dhe janë bërë përgatitje dhe shtim të kapaciteteve në reprartin infektiv dhe repartin e urgjencës. Stafi mjekësor është në gatishmëri për çdo rast eventual që mund të paraqitet. (ina)