Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputetiAdem Mikullovci, pas diskutimeve në takimin konsultativ ka caktuar për 24 gusht vazhdimin e seancës.
Mbajtjen e seancës më 24 gusht e ka kërkuar përfaqësuesi i koalicionit PAN [PDK-AAK-Nisma], Enver Hoxhaj.
Ai ka thënë se pas konsultimit me partnerët e koalicionit, më 24 gusht duhet të mbahet vazhdimi i seancën konstituive, ku sipas tij, ky koalicion do të propozojë për kryetar të Kuvendit, Kadri Veselin.
“Ne mendojmë se seanca e radhës, ku do të merr pjesë koalicioni jonë, e ku i ftojmë të marrin pjesë edhe deputetët e tjerë, e ku do të dalim me kandidat për kryetar të Kuvendit dhe ai kandidat do të jetë zoti Kadri Veseli, kryetar i PDK-së. Seanca e radhës do të duhej të mbahet në javën e ardhshme, më 24 gusht“, tha Hoxhaj.
Kurse, Avdullah Hoti nga koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, tha se të gjitha partitë politike duhet të jenë të përgjegjshme para qytetarëve dhe nuk duhet të lejohet në këtë formë, siç po ndodh bllokimi i institucioneve. Ai ka akuzuar koalicion PAN, që sipas tij, qëllimisht është duke bllokuar krijimin e institucioneve të reja.
“Ju keni abuzuar me të drejtën tuaj dhe keni monopolizuar themelimin e institucioneve në pafundësi. Besoj se është e udhës që ju të kërkoni falje për zhagitjen e themelimit të institucioneve“, tha Hoti.
Në takimin konsultativ nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse, pjesa më e madhe e përfaqësuesit të partive politike nga radhët e komuniteteve janë pajtuar që data 24 gusht është e përshtatshme për seancë dhe se do të marrin pjesë në të. Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit ka thënë se takime konsultative nuk do të ketë më.
Ky takim u mbajt pas ndërprerjes së vazhdimit të seancës konstituive të ditës së hënë, për shkak të mungesës së koalicionit PAN.
Nga ana tjetër, koalicioni i përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa, ka organizuar tryezë diskutimi me partitë politike, me përjashtim të PAN-it, mbi rrugëdaljen që duhet gjetur për të dalë nga gjendja e tanishme institucionale. Në këtë takim u diskutua po ashtu për atë se a ka një bazë të duhur ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për bllokimin e ndërtimit të institucioneve të reja, siç u tha, nga koalicioni PAN.
Kryetari i Grupit Parlamentar të koalicionit LAA, Avdullah Hoti, ka thënë me këtë rast se konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka ngecur për shkakun e koalicionit PAN.
“Gjendja në të cilën jemi dhe sjellja e koalicionit PAN, tregon mungesën e maturisë politike të një spektri politik në Kosovë, karshi qytetarëve të Kosovës dhe karshi partnerëve tanë ndërkombëtarë”, ka theksuar Hoti. Ai ka shtuar po ashtu se duhet të nisë diskutimi substancial për të ndërtuar konsensusin politik dhe shoqëror, për ndryshimet kushtetuese.
Kurse, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje thënë se nuk iu mbetet tjetër pos që të kërkojnë nga PAN përgjegjësi publike, për të dalë nga kjo bllokadë, të cilën, siç thanë ata, po e bëjnë me qëllim.
Deputetja Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se sa i përket drejtimit në Gjykatën Kushtetuese për gjendjen e tanishme, kjo gjë sipas saj, do t’i shtonte komplikime situatës, dhe do t’i jepte kohë PAN-it, pasi që Kushtetuesja do të mund të merrte kohë, dhe PAN-i do të thoshte se çështja është në Gjykatën Kushtetuese.
“Është humbje e kohës për manovra nga koalicioni PAN. Pra, konsideroj se është humbje kohe dhe madje mund të konsiderohet lehtësisht si amnistim i veprimeve të papërgjegjshme të koalicionit PAN dhe kush garanton se Gjykata Kushtetues do të marrë një veprim të drejt. Dhe sa i përket arsyeve juridike, ne nuk mund të parashtrojmë në këtë moment çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë moment, ne që jemi deputet, jemi si qenie e ndërmjetme, e sipas aktgjykimit, as nuk jemi deputet bash deputet, e as nuk jemi veç të zgjedhur. Pra, prej certifikimit deri në konstituim, nuk e dinë as Gjykata Kushtetues çka jemi“, ka thënë Haxhiu.
Kurse, politologu Ramush Tahiri ka thënë se aktualisht nuk ka zgjidhje tjetër për gjendjen e krijuar dhe për të shkuar tutje çështja duhet trajtuar nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas tij, nëse deputetët i drejtohen Gjykatës për bllokimin e gjendjes, nuk mund të ketë prolongim të proceseve.
“A e prolongon Gjykata Kushtetues, për mendimin tim nuk e prolongon sepse vepron si çdo Gjykatë tjetër. Në moment që gjendet zgjidhja, ani që lënda është në Gjykatë dhe ka vullnet, lënda është e paqenë, do të thotë mund të funksionojë dhe nuk pengon asgjë. Pra, në momentin që bindet ose ndërron mendjen PAN-in,në ketë rast për të marrë pjesë dhe konstituohen organet, lënda automatikisht bie në Gjykatë“, tha Tahiri.
Të pranishmit në debat kanë thënë se Kosova nga bllokada e formimit të institucione të reja është duke pësuar në shumë drejtime.
Mimoza Kusari -Lila, kryetare e partisë politike Alternativa, që është pjesë e koalicioni LAA, tha se kriza aktuale në Kosovë nuk është vetëm krizë politike, por edhe krizë financiare dhe ekonomike.
“Krejt çfarë po ndodh në Kosovë është se si rrjedhojë e pozitave të dy personave nga PAN-i, apo egos së tyre për këto pozita. E tërë Kosova po paguan çmim shumë të shtrenjtë. Dhe kjo është vetëm kosto reale, kostoja oportune është shumëfish më e lartë, dhe pasojat e saj do t’i ndiejmë në javët, muajt dhe vitin e ardhshëm“, tha Kusari -Lila.
Ndryshe, në një konferencë për media, kryetari i AAK-së dhe i nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj ka thënë se që i qëndron besnik deklaratës së tij, se në një afat kohor prej 10 ditësh Kosova do t’i ketë institucionet e reja.
“Nuk do të shkoj shumë kohë dhe do të fillojmë me punë. Jemi në konsultat finale për të vazhduar me punë. Do të vijë një qartësi politike në atë afat kohor [prej 10 ditëve]“, tha Haradinaj në konferencen per media në selinë e AAK-së, ku ka prezantuar dy kandidatë për kryetar të komunave të Gjakovës dhe Pejës.
Kuvendi edhe pse ka mbajtur më shume se katër vazhdime të seancës konstituive, nuk ka arritur të zgjedhë kryeparlamentarin dhe nënkryetarët. Partitë politike vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për bllokim të institucioneve të vendit. Analistët politikë kanë kërkuar që të gjindet një kompromis ndërmjet partive politike, si dhe reforma për tu mos u përsëritur kriza politike, e njëjtë si ajo e tri viteve më parë. (rel)