Perëndimi nuk duhet të kalojë në krizë paniku për shkak të manovrës ruse. Nervozizmi për shkak të zhvillimeve në Ukrainë është megjithatë i kuptueshëm. Rusia ushqen me manovrën mosbesimin.
Kur Kremlini ankohet për gjoja lojën tepër agresive të NATO-s në kufirin rus, atëherë fjalët rrallë zgjidhen me kujdes: veçanërisht të preferuara janë krahasimet me “Rajhun e Tretë” ose edhe “Operacioni Barbarosa”, pra sulmi i Wehrmachtit (ushtrisë naziste) kundër Bashkimit Sovjetik në vitin 1941. Mega-manovrën vetjake të quajtur “Zapad”, të përkthyer “Perëndimi”- nga ana tjetër e quajnë thjesht “defensive” dhe vetëkuptohet krejtësisht “paqësore”. Loja vetjake e muskujve – që nuk është gjë tjetër veçse marshim i trupave në afërsi të shteteve të BE – thuhet se nuk është gjë tjetër veçse një kontribut për paqen botërore, të cilën fqinjët evropianë gjoja e rrezikojnë vazhdimisht: kjo është krejtësisht në përputhje me strategjinë e vrazhdë të komunikimit të Kremlinit.
Po tani palës perëndimore i rekomandohet që të mos mbireagojë dhe që t’i rezistojë çdo krize paniku: nuk ekziston as e dhëna më e vogël, që Moska mund të përgatiste një ofensivë kundër, për shembull, Shteteve Baltike të NATO-s, nën mantelin e manovrës. Rrezik i vërtetë Evropën e kërcënon vetëm indirekt: dhe pikërisht sepse kjo manovër do të ushqejë mosbesimin reciprok.
Shembulli më i mirë për këtë është grindja për shifrat, e cila u bë para manovrës: nëse një manovër e kalon shifrën magjike të 13.000 ushtarëve, rregullat ndërkombëtare parashikojnë që të lejohen një numër i madh vëzhguesish dhe të lejohen fluturime zbulimi. Për ta shmangur këtë, Rusia e raporton numrin e ushtarëve me 12.700, në Evropën Perëndimore besojnë se bëhet fjalë për 100.000 vetë. Në mënyrë që NATO-ja të mos mundet t’a shohë se ç’bën Moska, shifrat manipulohen, kjo është kritika që bëhet.
Problemi për Kremlinin: ky debat nuk zhvillohet në një hapësirë boshe. Rusia i ka shkëputur Ukrainës një copë tokë dhe e quan këtë si të ligjshme. Rusia nxiti një luftë në Ukrainën Lindore dhe e mohon këtë. Ajo financon populistë të djathtë në Evropë dhe e kundërshton këtë. E mbulon BE me fushata Fake-News dhe pohon të kundërtën. Përballë kësaj Presidenti Putin nuk duhet të çuditet, kur Zapati – në të cilin në të shkuarën u simulua njëherë një sulm bërthamor kundër Varshavës – i nervozon pak fqinjët.
Mbase ky është synimi i sundimtarit të Kremlinit, i cili nuk do gjë tjetër më shumë, se që Perëndimi të mos e paraqesë më si të parëndësishëm atë dhe besimin në vetvete të Rusisë.
Ai merr parasysh që për këtë arsye në të ardhmen do ta ketë më të vështirë, që të ankohet në mënyrë të besueshme për gjoja lojëra lufte të NATO-s në kufirin rus. Por para së gjithash me Zapatin ai bën vetëm një efekt: që te evropianët të rritet mosbesimi. Dhe kjo është e rrezikshme për të dyja palët. (dw)