Tre të katërtat e të gjithë fëmijëve, që arratisen përmes Mesdheut, shfrytëzohen e keqpërdorohen në udhëtim. Për të mbrojtur më mirë refugjatët duhet të luftohen para së gjithash shkaqet e arratisë, mendon A. Freund.
Duhet të jenë histori të tmerrshme, ato që kanë përjetuar fëmijët në arrati. Në studimin më të fundit të UNICEF-it në përshkrimet e tyre fëmijët përdorin koncepte si tortura, vrasje, pushkatim, përdhunim, skllavëri. Tri të katërtat e të gjithë fëmijëve, të cilët arratisen drejt Evropës përmes itinerarit të Mesdheut, keqpërdoren dhe shfrytëzohen. Kur një fëmijë ndodhet në rrugë pa një familje që e mbron apo pa shoqërues, rreziku dyfishohet. Këto rezultate për ne janë kaq të dhimbshme, sepse prekin më të dobëtit e të dobtëve. Përvoja të tilla lënë pas thuajse gjithmonë plagë të rënda shpirtërore. Shumë refugjatë vuajnë edhe në atdheun e tyre të ri shpesh për gjithë jetën nga turpi dhe përjashtimi, nën gjendje ankthi, prishje të gjumit ose depresione.
Prozhektori te fëmijët
Skeptikët i quajnë raporte të tilla tronditëse të tepruara. Mediet fokusohen shumë tek fëmijët në zgjedhjen e fotografive. Kameramanët, thonë ata, filmojnë para së gjithash familje me fëmijë të vegjël me sy të mëdhenj të hapur, megjithëse pjesa më e madhe e të gjithë refugjatëve janë meshkuj të rinj, që udhëtojnë vetëm. Por këtu nuk prodhohet një tabllo e shtrembëruar e realitetit. Gati 50 milionë fëmijë në botë rriten sot në ambjent të huaj për ta – më shumë se gjysma e tyre ndodhen në arrati përballë luftës dhe dhunës.
UNICEF synon që me raportin më të fundit për itinerarin e Mesdheut të fëmijëve të zgjojë Bashkimin Evropian. Evropa duhet të kujdeset për numrin e madh të fëmijëve të traumatizuar dhe të hapë rrugë të sigurta dhe legale në kontinent. Ky apel është padyshim i justifikuar, sepse shtetet evropiane nuk kanë gjetur ende përgjigje bindëse për krizën e refugjatëve, përkundrazi, pjesërisht ata janë në grindje të madhe mes tyre dhe janë më larg se kurrë nga një zgjidhje solidariteti.
Apeli u drejtohet të gjithëve
Vështrimi me sytë e fëmijëve të pafajshëm nuk duhet të jetë vetëm apel për evropianët, për të mundësuar migrimin legal. Raporti është edhe një paralajmërim për të gjithë prindërit, për faktin se sa e rrezikshme është shpesh kjo arrati pa perspektivë – për ta vetë dhe para së gjithash për fëmijët e tyre. Megjithë mjerimin e madh dhe dëshpërimin, ata nuk duhet t’i hyjnë rrezikut të një imigrimi ilegal, sepse në rrugën e tyre të mundimeve janë të ekspozuar pa ndihmë ndaj trafikantëve kriminelë dhe njerëzit pa zemër edhe e shfrytëzojnë hallin e tyre. Vetëm në rastin e një migrimi legal ekziston shpresa për një migrim të sigurtë dhe për një perspektivë realiste të qendrimit. Por për këtë Evropa duhet të bjerë shpejt dakord për ligje të reja funksionuese të imigrimit.
Fëmijët refugjatë duan të luajnë dhe të mësojnë si të gjithë fëmijët, ata kanë nevojë për mbrojtje dhe mbështetje, këtë duhet ta garantojnë të gjithë përgjegjësit në vendet tranzite. Sfida më e madhe megjithatë do të jetë që të luftohen me efekt shkaqet e arratisë në vendet e origjinës dhe që njerëzve t’u jepet atje një perspektivë. Edhe Evropa mund të ndihmojë më shumë atje. Por kjo nuk është vetëm detyrë e Evropës, por para së gjithash e përgjegjësve në vendet, prej të cilave ata arratisen kaq me dëshpërim. Më shumë angazhim ia vlen, sepse askush nuk largohet vullnetarisht nga atdheu i tij, për aq kohë sa ka shpresë – para së gjithash për fëmijët. (dw)