Mbrëmë në Los Angeles Çmimet Emmy, që nderojnë arritjet më të mira në programet televizive. Veep, një realizim i vlerësuar prej vitesh nga kritika që satirizon punën e një politikaneje dhe stafit të saj, fitoi këtë vit në kategorinë e serialit komik më të mirë. The Handmaid’s Tale u zgjodh në kategorinë e dramës më të mirë.
Drama The Handmaid’s Tale, e cila bazohet në romanin me të njëjtin titull të shkrimtares Margaret Atwood, zhvillohet në një shoqëri totalitare, ku një klasë e ulët grash ka detyrën e shtimit të popullsisë. Aktorja Elisabeth Moss portretizon një nga këto gra. Ajo u nderua me çmimi e aktores më të mirë në rol kryesor dramatik:
“Kjo dramë përfshin në të çdo gjë që më intereson: çështjet kryesore për mua si grua. Ky realizim është diçka që unë dua të shoh edhe si spektatore. Por duket se ka edhe të tjerë që e pëlqejnë. Është nder shumë i madh që luaj në këtë rol, që portretizoj një personazh të tillë të krijuar nga shkrimtarja Atwood,” tha aktorja kur mori çmimin.
Vetë shkrimtarja tha se tema e romanit të saj është mjaft aktuale sot:
“Një nga mësimet është se nuk duhet të mendojmë kurrë që nuk do të ndodhë një skenar si ai që shtjellohet në roman. Siç e kam thënë, asgjë nga ato që kam futur në libër nuk është trillim, por diçka që ka ndodhur diku, në një kohë,” tha Margaret Atwood.
Prezantues i ceremonisë ishte humoristi Stephen Colbert, i cili kishte përgatitur një monolog plot thumba në adresë të Presidentit Donald Trump. Ai kujtoi se si vite më parë, zoti Trump kishte shprehur zhgënjim që nuk kishte marrë Emmy për emisionin e tij Celebrity Apprentice.
“Përse nuk i dhatë Çmim Emmy? Vetëm kaq do t’ju them: po t’i kishit dhënë Emmy nuk do të kishte konkurruar për president. Vetes ia bëtë”.
Pasi u vu në shenjestër nga shumë humoristë gjatë kohës kur ishte zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer gjeti momentin mbrëmë për të treguar se ka humor dhe nuk mban mëri. Ai doli në skenë me një podium të lëvizshëm, të ngjashëm me podiumin që përdorej në një skeç ku ai vihej në lojë. Melissa McCarthy që e portretizonte zotin Spicer në skeç fitoi çmimin Emmy në kategorinë e aktores së ftuar në një serial komik.
Zoti Spicer deklaroi se ceremonia e sivjetshme e Çmimeve Emmy ishte më e ndjekura në historinë e këtyre çmimeve. Ishte një referencë me humor për komentet që kishte bërë më parë zoti Spicer, kur këmbëngulte për numrin rekord të spektatorëve që ishin mbledhur për ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Trump në janar.
Alec Baldwin fitoi mbrëmë në kategorinë e aktorit të ftuar në një serial komik për portretizimin që i bën Presidentit Trump. Ndër fitues të tjerë ishin Nicole Kidman për lojën në serialin dramatik Big Little Lies, që hedh dritë mbi problemin e dhunës në familje, dhe Julia Louis-Deyfus që fitoi për të gjashtën herë për rolin e saj si një politikane e paaftë në serialin Veep. (voa)