Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, takoi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në New York, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se “ata vazhduan diskutimet mbi periudhën e re të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian mbi normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, në vazhdim të takimeve të zhvilluara në muajt korrik e gusht. Ata rishikuan përparimin e arritur në zbatimin e marrëveshjes për drejtësinë, që ka të bëjë me gjykatat në veriun e Kosovës, e cila duhet të zbatohet më 17 tetor, sic është arritur pajtimi në takimin e fundit”.
Zonja Mogheirni mirëpriti përkushtimin e të dy presidentëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ritheksoi se përparimi i të dyja palëve drejt integrimeve evropiane, është i lidhur ngushtë me përparimin në bisedime.
Në dy takime që u zhvilluan në korrik dhe në fund të muajit gusht nw Bruksel, presidenti serb Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Thaçi, u pajtuan për një fazë të re të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve, përtej çështjeve teknike.
Në muajin korrik presidenti serb paralajmëroi hapjen e një dialogu të brendshëm serbë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pavarësinë e së cilës ajo vazhdon ta kundërshtojë, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.
Ai është zotuar të vazhdojë rrugën evropiane por edhe të ruaj lidhjet me aleatin e saj Rusinë, një dëshirë e nacionalistëve serb që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Kosova mbetet çështja kryesore në bisedimet e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Më shumë se dy vjet më parë, në maj të vitit 2015, presidenti serb, atëbotë kryeministër i Serbisë, kishte paralajmëruar një ndryshim të mundshëm të qasjes ndaj Kosovës, që është kushti themelor në përpjekjet e Beogradit për integrimin në Bashkimin Evropian.
Ai kishte thënë atëbotë të përditshmes “The Wall Street Journal”, se është “duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, ku do të mund të përfshihej heqja e përkufizimit të Kosovës si pjesë e Serbisë”. Aktualisht Kosova zë vend në preambulën e kushtetutës serbe.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret që në përmbyllje të bisedimeve të dyja palët të njohin njëra tjetrën dhe t’i japin fund një periudhë të gjatë të armiqësive.
Ai ka bërë thirrje për ekip uniteti në Kosovë që do të përfshihej në bisedime ndërsa ka paralajmëruar se çfarëdo marrëveshje që të arrihet me Serbinë, do ta hedhë në referendum. (voa)