Partia Socialiste mblodhi për herë të parë grupin e saj parlamentar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. E pikërisht nga ai vend ku Lulzim Basha dhe Edi Rama ranë dakord për marrëveshjen e 18 majit, kreu socialist ju rikthye asaj për reformën zgjedhore, duke i cilësuar legjitime kërkesat e Partisë Demokratike, të cilën Rama e quajti opozitën kryesore me të cilën do të arrihet marrëveshja për reformën zgjedhore.
“Partia Socialiste ka patjetër të gjithë vullnetin e mirë që të çelë një diskutim për përmirësimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor, por në kuadër të një konceptimi tërësor të marrëdhënies Qeveri-Opozitë, PS-PD. E mirëpresim Partinë Demokratike në një dialog të vërtetë dhe realist lidhur me procesin zgjedhor, por dëshirojmë paraprakisht të përcaktojmë së bashku me PD një kornizë të qartë brenda së cilës do të zhvillohet dialogu dhe bashkëpunimi i shumicës parlamentare me opozitën. Kjo natyrisht nuk përjashton opozitën tjetër, përkundrazi e integron atë, por boshti i dialogut është PS-PD”, tha Rama.
Një pikë që solli debat në mbledhjen e grupit ishte dhe buxheti për institucionet e reja të Vettingut, ku nuk munguan as kundërshtitë, si nga Erjon Braçe, ashtu edhe nga Saimir Tahiri.
Edi Rama: Nuk është çështje numri punonjësisht, por është çështje strukturimi si duhet i një institucioni për të marrë rezultain maksimal. Në rastin konkret, kur është fjala për një proces kaq të rëndësishëm, siç është ai i vettingut, ne jo vetëm nuk do të kursejmë asnjë burim që qeveria ka dhe që duhet t’ja vendosë në dispozicion këtij procesi, por përkundrazi, do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme.
Erjon Braçe: Është një vendim që ka në mënyrë të qartë efekte financiare. Kësaj radhe u tejkalua, por unë do ju kërkoj që herë tjetër mos të ndodhë më që vendime të tilla mos të kalojnë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.
Saimir Tahiri: Dy nga institucionet thanë aty që ne nuk bëjmë dot detyrën me këtë buxhet. Kur këto institucione na e thonë që sot që s’bëjmë dot detyrën, nesër çfarë do na thonë? S’e di, ndoshta duhet parë më pak fleksibilitet nga ana jonë dhe ndoshta nga Ministria e Financave.
Arben Ahmetaj: Unë e ftoj Saimirin që të ulet me mua që të shohim detajet që dhe ai të dalë i qetë që ne i kemi dhënë mbështetjen maksimale strukturës nga ana financiare.
/ Top Channel