Sot në Klubin e gazetarëve u mbajt debat në temën “Puna e mediave në fushatë zgjedhore, përvoja dhe sfida”, përcjell Telegrafi Maqedoni. Në këtë debat fjalime mbajtën drejtori i ASHMAA-së, Zoran Trajçevski, kryetari i CIVIL, Xhabir Deralla dhe kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
Zoran Trajçevski vlerësoi se për zgjedhjet lokale mediat lajmërojnë në mënyrë shumë më të barabartë dhe më profesionale në krahasim me dy ciklet paraprake zgjedhore, ku ishte vërejtur pabarazi dhe koordinim të dukshëm gjatë lajmërimit. Ai theksoi se këtë vit për herë të parë Gjykata e Shkupit ka vepruar brenda afatit ligjor pas denoncimit të ASHMAA-së dhe ka sjellur vendim për 48 orë pas denoncimit.
Kryetari i CIVIL, Xhabir Deralla tha se në vend që të informohen, njerëzit helmohen me urrejtje përmes mediave dhe ekzistojnë vërejtje serioze për sjelljet dhe veprimet e gjykatave në vend.
Naser Selmani, kryetar i SHGM-së, theksoi se ekziston një trend i uljes së sulmeve ndaj gazetarëve. Për dallim nga zgjedhjet e dhjetorit ku u regjistruan dy sulme fizike ndaj gazetarëve, në këtë fushatë zgjedhore nuk ka asnjë sulm fizik por vetëm kërcënime verbale.
Ky debat u organizua nga OnLimit media dhe SHGM, ndërsa u përkrah financiarisht nga Civica Mobilitas./Telegrafi/