Pothuajse 30 vjet më parë, një mijë fëmijë në ditë paralizoheshin nga virusi i poliomelitit. Deri më tani këtë vit, 11 fëmijë janë diagnostikuar me polio, falë një përpjekjeje globale për ta zhdukur virusin e poliomelitit. Përpjekjet kanë sjellë rezultate të mira, por ata që kanë ndihmuar në arritjen e këtij suksesi thonë se nuk është koha për të festuar.
Ka vetëm dy vende në të gjithë botën, ku fëmijët janë prekur nga poliomeliti këtë vit: Afganistani dhe Pakistani. Përpjekja në mbarë botën për t’i dhënë fund kësaj sëmundjeje është masive, thotë Carol Pandak e organizatës “Rotary International”:
“Qindra mijëra punonjës të kujdesit shëndetësor po punojnë çdo ditë, duke imunizuar fëmijët në zonat urbane, në zona të largëta, në të gjitha llojet e mjediseve”.
“Rotary International” është organizata e parë që promovoi përpjekjet globale për t’i dhënë fund poliomelitit. Dikur, në disa vende, punonjësit shëndetësorë rrezikonin jetën e tyre për të imunizuar fëmijët. Zonja Pandak thotë se kjo nuk ndodh më.
“Përdorimi i njerëzve nga komunitetet ka qenë shumë i suksesshëm për ne. Punësimi i tyre për të vaksinuar familjet në komunitet ka qenë i suksesshëm sepse ata njihen nga komunitetiteti dhe komuniteti ka besim në këta njerëz, dhe kjo duket se ka ndihmuar në zbutjen e disa prej çështjeve rreth sigurisë për vaksinuesit”.
Sfida tani është arritja në zero raste të polios dhe për ta ruajtur këtë nivel për të paktën tre vjet:
“Ne duhet të kemi një vëzhgim të fortë të situatës në mënyrë që të jemi në gjendje të zbulojmë çdo rast të vetëm dhe pastaj komuniteti reagon ndaj çdo rasti që shfaqet, kështu që vëzhgimi i mirë i situatës është një element kritik në përpjekjen për t’i dhënë fund poliomelitit”, thotë Dr; Flavia Bustero e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Arritja deri në fund të këtij misioni është në fakt pjesa më e vështirë e fushatës. Qeveritë dhe organizatat duhet të vazhdojnë angazhimin e tyre, përndryshe virusi mund të vazhdojë të përhapet.
“Ne duhet të mbetemi vigjilentë dhe të fokusuar derisa të gjendet rasti i fundit dhe të gjithë të jenë të mbrojtur”, thotë David Nabarro, zyrtar i OKB-së.
Për këtë arsye tema e Ditës Botërore të Polios këtë vit është “puna nuk ka mbaruar ende “. (voa)