Një tërmet që ra të dielën në kufirin mes Irakut dhe Iranit ka shkaktuar më tepër se 300 të vdekur dhe ka plagosur 2 mijë e 500 vetë.
Media iraniane njoftoi sot se ka 328 viktima, shumica e tyre në qytetin Sarpol-e-Zahab të provincës Kermanshah.
Ekipet e shpëtimit punuan gjatë natës dhe vazhdojnë edhe sot për t’u ardhur në ndihmë personave të prekur nga fatkeqësia.
Instituti Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se tërmeti prej 7.3 ballësh e kishte qendrën në qytetin Halabja në rajonin e Kurdistanit në Irak.
Kryeministri irakian Haider al-Abadi tha se i kishte kërkuar agjencive të shëndetësisë të përpiqen me të gjitha mjetet për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të goditur nga kjo fatkeqësi natyrore. (voa)