Parlamenti në Tiranë sapo zgjodhi prokuroren e re të përgjithshme, Arta Marku, në një seancë të tensionuar nga protesta e opozitës brenda dhe jashtë Kuvendit.Ajo u betua, ndërsa salla është plot me tymra shumëngjyrësh të hedhura nga deputetët e opozitës.
Kryetari i Parlamentit arriti të hedhë në votim pikën 5 të rendit të ditës për prokuroren e përgjithshme, megjithë rrëmujën brenda dhe jashtë ndërtesës.
Një polic njoftohet se u plagos në kokë dhe një zonjë po ndihmohet për shëndetin e trazuar nga përplasjet.
Opozita ka mbledhur mijëra përkrahës të saj në sheshin para parlamentit “për të protestuar kundër kapjes së prokurorisë nga kryeministri Rama”, si u shpreh kryetari i PD-së Lulzim Basha.
Deputetë të opozitës po flasin në shesh, ndërkohë që brenda në sallë plenare socialistët po përpiqen të ndjekin rendin e ditës.
Shumica votoi që zgjedhja e prokurorit të mbetet në rendin e ditës, por opozita tha se kjo është një nismë antikushtetuese e rrezikshme. Kryetari i parlamentit, Gramoz Ruci, tha se opozita mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe se ecuria e seancës është e rregullt.
LSI u bëri thirrje 3 kandidatëve për prokurorë që të tërhiqen nga kandidimi.
Protestuesit e opozitës hodhën fishekzjarre ngjyrues në oborrin e Kuvendit, ndërsa nisën të shtyhen me kordonat e policisë.
Deputetja e opozitës, Grida Duma, tha në tubim se protestuesit mezi po presin të hyjnë në sallën e Kuvendit, sepse “ajo është salla juaj dhe jo e socialistëve të korruptuar, që po rrëmbejnë drejtësinë”.
Ndësa deputeti socialist, Ulsi Manja, tha se kjo është hera e parë që prokurorin e përgjithshëm nuk e zgjedh Partia Demokratike, ndaj ata protestojnë.
“Kjo duhej të ishte një seancë normale dhe ligjet dhe rregullat janë të qarta. Pretendimet e PD-së nuk qëndrojnë dhe pjesëmarrja në tubim nuk është e madhe, sepse njerëzit u thirrën jo për hallet e tyre si papunësia” – tha ai.
Kuvendi ndërpreu punimet disa herë pasi deputetët e Partisë Demokratike zunë vend në foltore për të mos lejuar vazhdimin e seancës, ku pritet të votohet prokurori i përgjithshëm i përkohshëm. përgjithshme
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha fillimisht në një fjalë të shkurtër se sot është një nga ditët më dramatike të parlamentit, se shumica parlamentare po kërkon të marrë një pushtet që nuk i takon si prokuroria.
“Kjo është një seancë antikushtuese. Socialistët po bëhen gati për një grusht shteti, po pushtetet duhet të jenë të ndara nga njëri-tjetri” – tha zoti Basha.
Ai theksoi se edhe reforma në drejtësi i sheh të ndara pushtetet ashtu si Kushtetuta.
“Binduni urdhërit popullor ose përballuni me pasojat” – tha zoti Basha.
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se jemi bërë pjesë e një nisme humanitare në ndihmë të qendrs spitalore të Kosovës, duke u përpjekur ta futë seancën në një rrjedhë normale.
Deputeti Sali Berisha kërkoi të marrë fjalën, por u pengua nga punonjësit e parlamentit dhe foli shkurt pas një pushimi, duke denoncuar përpjekjet e shumicës për të uzurpuar postin e prokurorit të përgjithshëm. (voa)