Kosovë: Investim miliardësh për termocentralin “Kosova e Re”

Contour GlobalKompania amerikane “Contour Global” do të ndërtojë termocentrali i ri të Kosovës që do të prodhojë 500 megavatë energji elektrike në orë.

1.3 miliardë euro është vlera e investimit të jashtëm për një termocentral  të ri në Kosovë. Marrëveshja me kompaninë amerikane “Contour Global, e cila do të ndërtojë termocentralin “Kosova e Re” u nënshkrua sot me qeverinë e Kosovës. Termocentrali i ri që do të prodhojë 500 megavat orë energji elektrike do të jetë investimi me i madh i jashtëm pas luftës në Kosovë, ndërtimi i të cilit do të fillojë në vitin 2018 dhe do të jetë funksional në  vitin 2023. Jetëgjatësia e këtij termocentrali do të jetë 40 vite.

Thaçi: Ditë historike

Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje ishin të pranishëm liderët e institucioneve të Kosovës, ambasadori i Shteteve të Bashkuara si dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e cilësoi marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” si një ditë historike dhe “vazhdimësi të partneritetit strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Me te filluar operimi i termocentralit ‘Kosova e Re’ pritet të ketë një jetëgjatësi prej 40 viteve. Ky planifikim afatgjatë do t’i mundësojë shoqërisë sonë të projektojë një të ardhme prosperuese për gjeneratat që vinë dhe kjo periudhë jo vetëm që do të kontribuojë në qëndrueshmërinë furnizuese me energji elektrike, por do të garantojë pavarësi nga çmimet rajonale të energjisë”, tha Presidenti Thaçi.

Në fazën e dytë, pas nënshkrimit të marrëveshjeve komerciale, drejtuesit e kompanisë “Contour Global”, njoftuan se do të shpallin tender ndërkombëtar për të përzgjedhur kompaninë e cila do të ndërtojë impiantin e termocentralit “Kosova e Re”. Interesim deri tash kanë shfaqur kompani, amerikane, japoneze dhe gjermane.

Mungesë transparence?

Marrëveshja me kompaninë amerikane për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”, ka nxitur reagime nga disa parti politike dhe organizatat e shoqërisë civile të cilët thonë se kjo marrëveshje është shoqëruar me mostransparencë dhe mundësia e rritjes së çmimit të energjisë për qytetarët është reale. Po ashtu shqetësime janë ngritur edhe për ndikimin që termocentrali i ri do të ketë në mjedis.

Një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike u mbajt sot para  zyrave të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës, për faktin që nga autoritetet qysh tash është paralajmëruar shtrenjtimi i  energjisë elektrike.

Kosova llogaritet një nga vendet më rezervat më të mëdha të linjitit në Evropë. Dy termocentralet ekzistuese Kosova A dhe Kosova B,  po ashtu shfrytëzojnë linjitin për prodhimin e energjisë elektrike dhe ky fakt sipas disa organizatave të shoqërisë civile do ta dëmtojë rëndë mjedisin në Kosovë. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>