Maqedoni: “Aleanca për Shqiptarët” do të qëndrojë në koalicion

SelaAleanca për Shqiptarët (ASH) nuk do ta braktisë koalicionin qeveritar të Maqedonisë. Kështu bëri të ditur të dielën kryetari i partisë shqiptare, Ziadin Sela pas një takimi disa orësh me anëtarët e ASH-së në Gostivar.

Drejtuesit e kësaj partie kanë qenë mjaft kritik ndaj qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev pasi ai nuk deshi që ministrinë e Shëndetësisë t’ia lërë ASH-së që prej zgjedhjeve lokale kur Arben Taravari e la postin e ministrit për atë të kryetarit të komunës së Gostivarit.

Zoti Zaev tashmë ka dërguar në parlament propozimin për ministër të ri të Shëndetësisë që është këshilltari i tij aktual, kirurugu Venko Filipçe.

Ndërkaq, zoti Sela megjithatë u tha gazetarëve pas takimit se shpresonte që me kryeministrin Zaev të takohet përsëri për të biseduar rreth kushteve të qëndrimit në koalicionin qeveritar.

“Ne – tha z. Sela – kemi vendosur të jemi pjesë e qeverisë për realizimin e programit që u është premtuar votuesve. Kemi premtuar se do t’i zhbllokojmë proceset, se ligji për gjuhën shqipe do të miratohet dhe se do të hapen rastet e montuara gjyqësore”.

Aleanca për Shqiptarët aktualisht ka vetëm dy deputetë, pasi Vesel Mehmeti i njërit fraksion të Rilindjes Demokratike Kombëtare që bënte pjesë në ASH, vendosi të veprojë më vete.

ASH-ja kishte postin e ministrit të Shendëtësisë, tre zëvendës-ministra dhe zyrtarë e drejtorë të tjerë në poste të larta qeveritare e publike. Kryeministri Zaev i ofroi z. Sela një post të ri në shkëmbim të shëndetësisë, atë të zv.kryeministrit për reforma, një gjë që drejtuesi shqiptar e cilësoi me ironi si “zëvendës-kryeministër për byrek që do t’ia kalonte menjëherë BDI-së”.

Sidoqoftë, Ziadin Sela konsiderohet si mjaft meritor për formimin e qeverisë së Zoran Zaevit, me që ai në asnjë mënyrë nuk deshi një koalicion qeveritar me VMRO-DPMNE-në, e cila kishte fituar numrin më të madh të ligjvënësve në parlament nga zgjedhjet e dhjetorit të kaluar. Votat e ASH-së në parlament ishin vendimtare për qeverinë e re.

Por tash, të paktën tre deputetë janë shkëputur nga koalicioni i VMRO-së dhe kanë dhënë shenja afërsie me politikat e qeverisë, duke bërë kështu që rëndësia e votave të ASH-së në parlament të mos jetë më jetike, ndërsa nga ana tjetër, të paktën sipas spekullimeve, Partia Demokratike Shqiptare ka treguar gatishmëri për të hyrë në koalicinin qeveritar të drejtuar nga Lidhja Social Demokratike. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>