Në Shqipëri opozita njoftoi sot se protesta e saj e paralajmëruar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama pritet të zhvillohet në Tiranë më 27 Janar. Këtë e bëri të ditur kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha: “objektivi politik i opozitës i shpallur prej kohësh, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse dhënia fund e kësaj paligjshmërie, përmes një qeverie antimafia me mandatin që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme për një Shqipëri të taksave të ulëta, për një qeveri që garanton, përmes përpjekjeve të saj, mundësitë maksimale për punësim për njerëzit”.
Data e protestës u njoftua pas një mbledhjeje që zoti Basha pati me grupin e tij parlamentar dhe drejtuesit e partisë në rrethe. Kryetari demokrat tha se “Partia Demokratike dhe i gjithë koalicioni opozitar dhe të gjithë aleatët në këtë përpjekje të përbashkët, kanë nisur dhe do të intensifikojnë me të gjithë qytëtarët shqiptarë një dialog për t’i paraprirë kësaj proteste”.
Një ditë më parë kreu demokrat pati një takim dhe me drejtuesit e partive aleate, ndërkohë që protestat janë bashkërenduar edhe me Lëvizjen socialiste për integrim. Opozita ndërkohë nuk do të bojkotojë parlamentin punimet e të cilit nisin javën e ardhshme. (voa)