Matjet e reja konfirmojnë ndryshimin e klimës: 2015, 2016 dhe 2017 janë vitet më të ngrohta që nga fillimi i matjeve. Këtë e ka hulumtuar Organizata Botërore e Motit, WMO. Viti më i nxehtë ka qenë 2016.
Grumbullimi i viteve veçanërisht të nxehta është një shenjë e qartë e ndryshimit të klimës, shkaktuar nga rritja e përqendrimit të gazrave të dëmshme në atmosferë, komunikoi WMO në Gjenevë.
2017 ashtu si edhe viti 2015 ka pasur një temperaturë rreth 1,1 gradë mbi atë të kohës paraindustriale. Dallimi mes këtyre dy viteve në statistikë nuk është i spikatur. Ndërsa në 2016 ka pasur një temperaturë plus sipas të dhënave të fundit rreth 1,2 gradë.
Sikurse deklaron më tej organizata shkencore e OKB-së pë rmotin, temperatura – krahasuar me mesataren e viteve 1981 deri më 2010 – vitin e kaluar ka qenë 0,46 gradë më e lartë. “Gradët e ngrohjes së temperaturës gjatë tre viteve të kaluara janë të jashtëzakonshme”, tha sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Motit (WMO) Petteri Taalas. “Ngritja në arktik është mjaft e spikatur”. Kjo do të ketë pasoja edhe ndaj motit në rajone të tjera.
Rekorde të nxehti pavarësisht La Niña-s
Ndryshe nga viti 2017 në dy vitet paraprirëse dukuria e motit El Niño ka influencuar në temperaturat e larta mesatare, sipas WMO. Një tipar i El Niño është rritja e temperaturës së ujit të detit, gjë që influencon ndaj motit. Në fillim dhe në fund të vitit të kaluar La Niña – e kundërta e El Niño është vrojtuar me një efekt ftohës. Megjithatë 2017 ka qenë viti më i ngrohtë i matur ndonjëherë i La-Niña-s.
Në SHBA viti i kaluar për shkak të motit ekstrem me uragane ka pasur dhe dëme të mëdha si asnjëherë më parë, theksoi Taalas. edhe vende të tjera kanë përjetuar më shumë vërshime dhe thatësira.
Gjetjet e WMO-së bazohen në të dhëna nga pesë agjencitë kryesore ndërkombëtare të motit: National Oceanic and Atmospheric Administration në SHBA, Agjencia Hapësinore NASA, Met Office britanike, Qendra Europiane për Parashikimin Afatmesëm të Motit dhe Agjencia japoneze e Meteorologjisë. (dw)