Hapet Forumi i Ekonomisë Botërore në Davos

Davos2018Sot në Davos të Zvicrës filloi Forumi i Ekonomisë Botërore, një takim i përvitshëm, ku udhëheqësit botërorë diskutojnë për problemet globale dhe kryesisht për ekonominë. Këtë vit, krahas udhëheqësve të tjerë botërorë, në takim do të marrë pjesë për herë të parë Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, që sipas planit, do të flasë në takim të premten.

Në Alpet zvicerane, në rezortin e skive, ku sot u hap dita e parë e takimit vjetor të Forumit të Ekonomisë Botërore, shumë nga të 3 mijë delegatët e patën të vështirë të mbërrinin, për shkak të borës së madhe. Pjesë të linjës kryesore hekurudhore ishin mbuluar nga bora, duke i detyruar delegatët të shkonin në Davos me autobusë dhe helikopterë.

Është bërë traditë, që përfaqësuesit e elitës botërore, udhëheqës politikë dhe të biznesit, të diskutojnë në Forumin e përvitshëm të Ekonomisë, për tema si globalizimi, ndryshimet klimatike dhe tregtia e lirë. Por këtë vit takimi është dominuar nga kurreshtja se çfarë do të thotë Presidenti amerikan Donald Trump, i cili merr pjesë për herë të parë në takimin e përvitshëm të ekonomisë.

Takimin e Davosit e hapi të martën Kryeministri indian Narendra Modi. Ai paralajmëroi kundër një vale të re të protekstionizmit, duke thënë se barrierat tregtare përbëjnë rrezik për botën, sikurse ndryshime klimatike dhe sulmet ekstremiste.

Kryeministri indian e mbajti fjalimin vetëm disa orë pasi administrata amerikane e Presidentit Donald Trump miratoi vendosjen e tarifave të reja ndaj komponentëve të energjisë diellore dhe ndaj makinave të mëdha larëse të importuara, me premtimin për t’u ardhur në ndihmë bizneseve amerikane.

“Forcat e protektionismit po ngrenë krye kundër globalizimit. Duket se po ndodh e kundërta e globalizimit. Ndikimi negativ i kësaj mënyre të menduari nuk mund të konsiderohet më pak i rrezikshëm se sa ndryshimet klimatike dhe terrorizmi” – tha zoti Modi, pa përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë presidentin Trump.

Kryeministri indian u bëri thirrje qeverive të vendeve të ndryshme të botës të mos mbështesin politikat e izolimit.

Modi, kryeministri i parë indian që mban fjalimin hapës në Davos, është një nacionalist hindu, i cili erdhi në pushtet në vitin 2014, pas një fushate me premtimin për transformimin e ekonomisë së vendit.

Ndërsa ai e ka hapur ekonominë indiane ndaj investimeve, kritikët thonë se ai ka zbatuar politika protektoniste, përmes programit “të prodhohet në Indi”, që mbështet prodhimet e brendshme.

Në takimin e Davosit flet edhe kryeministri kanadez Justin Trudeau.

Kina, ekonomia e dytë më e madhe e botës, përfaqësohet këtë vit në takim nga një delegacion prej më tepër se 130 përfaqësues të biznesit dhe politikanë, të kryesuar nga këshilltari kryesor për ekonominë dhe politikani në rritje Liu He. Ai pritet të parashtojë në takim vizionin ekonomik të Kinës për vitin 2018. Pritet gjithashtu që ai të paralajmëroi për rrezikun e një lufte tregtare.

Shtetet e Bashkuara janë ekonomia më e madhe e botës dhe Presidenti Trump pritet të mbajë fjalimin mbyllës. Miratimi i tarifave të reja tregtare nga administrata amerikane ka hedhur hije tek pjesëmarrja e tij në forumin që ka qenë prej një kohe të gjatë në favor të tregtisë së lirë mes vendeve të botës.

Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Forumit të Ekonomisë Botërore, gjermani Klaus Schwab, tha dje në një intervistë se:

“Është e qartë se bota është e përçarë: në aspektin social, për çështjen e mjedisit dhe politikisht. Në takimin e këtij viti ne duam të analizojmë arsyet dhe ajo që është më e rëndësishmja, të kërkojmë një zgjidhje për të ardhmen.”

Mes pjesëmarrësve në takim këtë vit janë emra të njohur, shefa ekzekutivë të kompanive, si Jamie Dimon, i kompanisë JPMorgan Chase, biznesmenë dhe filantropë, si Bill Gates, dhe politikanë të rëndësishëm si kancelarja gjermane Angela Merkel. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>