Dhjetëra-mijëra vetë po protestojnë në Rumani kundër korrupsionit në qarqet qeveritare. Protestuesit kanë frikë se Kodi Penal mund të zbutet dhe se qeveria mund të vërë nën kontroll gjyqësorin.
Marshimi i protestës kundër qeverisë së korruptuar nisi nga Kluçi në Transilvani. Protestuesit përshkuan më këmbë në më tepër se 10 ditë mbi 450 kilometra deri në Bukuresht. Shkaku i protestës lidhet me faktin se qeveria po planifikon një paketë gjyqësore për të mbrojtur politikanët dhe zyrtarët e korruptuar dhe për të vështirësuar ndjekjen penale të kriminelëve.
Mjaft vrazhdësisë dhe paaftësisë
“Ne protestojmë kundër politikës së tyre së turpshme dhe të ndyrë, sepse ne duhet ta zhdukim problemin e korrupsionit, se ai po na bren. E ardhmja jonë dhe e ardhmja e fëmijëve po shkatërrohen. Çfarë të bëj unë? Të emigroj përsëri? Paraardhësit tanë luftuan të uritur dhe të zbathur dhe dhanë jetën e tyre për liri. Tani e kemi lirinë, por çfarë po bëjmë me të? Po e pështyjmë!” – thotë George Bratu njëri nga protestuesit.
“Ne jemi ngopur me kaq shumë vrazhdësi dhe paaftësi që po tregon kjo qeveri. Ne kemi nevojë për njerëz që duan të bëjnë diçka për këtë vend, për ne, dhe jo vetëm për vete.” – shton Maria Iakob.
Gjyqësori rrezik
Zemërimi i shumë rumunëve lidhet me Liviu Dragnean, udhëheqësin e Partisë Social Demokratike. Zyra kundër korrupsionit e ka marrë atë në pyetje. Dragnea nuk mund të bëhet kryeministër për shkak të dosjeve të tij penale për mashtrim zgjedhor dhe akuzave për mashtrimin e BE-së për fonde. Ai konsiderohet si babai shpirtëror i së ashtuquajturës reformë gjyqësore, e cila u heq pushtetin prokurorëve në Rumani dhe synon rishikimin e kodit penal. Dragne përgjigjet me qetësi ndaj kritikave të Komisionit Evropian: “Me respekt dua t’u them që duhet të informohen më mirë!”
Papërgjegjshmëri e madhe
Gjyqtari Horatiu Dumbrava është i habitur. Sipas projekt-kodit penal, policia dhe prokurorët nuk do të kenë më të drejtë të përdorin regjistrime në video dhe audio si dëshmi. Ai na tregon disa shembuj nga ekrani. Në një rast një kamera ka regjistruar se si politikanë të korruptuar pranojnë ryshfete, në një tjetër një pedofil, arrestimi i të cilit u bë i mundur pas pamjeve, ku ai i ngacmon fëmijët në një ashensor. Pas reformës gjyqësore regjistrime të tilla nuk lejohet të përdoren më.
“Këto prova dhe dëshmi teknike janë shumë të rëndësishme në rastin e krimeve të dhunshme. Në të ardhmen do të përjashtohej që nga fillimi mundësia për të përdorur një provë të tillë. Kjo është një papërgjegjshmëri e madhe.” – thotë gjyqtari Horatiu Dumbrava “Shpresojmë që gjesti ynë dhe ky tubim të jenë një sinjal alarmi dhe të gjithë ta kuptojnë se ajo që po bën klasa politike këtu nuk është më e pranueshme. Rumania e pëmbysi dikur komunizmin, kurse tani duhet të ngrihemi përsëri më këmbë për demokracinë.” – thotë Bratu. (dw)