Tiranë: SHBA kërkon rezultate kundër krimit të organizuar

LuSHBA u bënë sërish thirrje sot zyrtarëve shqiptarë që të përshpejtojnë luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

Përmes një postimi në FB ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Donald Lu u drejtoi një mesazh drejtuar politikanëve, policëve dhe prokurorëve, ku thekson se populli shqiptar do që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë.

“Ju u zotuat përpara popullit shqiptar dhe përpara nesh. Ne investuam në burimet për t’ju ndihmuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ku janë rezultatet? Komuniteti ndërkombëtar kërkon rezultate konkrete përpara vendimeve të rëndësishme këtë pranverë. Tik-tak” – shkroi ambasadori Donald Lu.

Mesazhi i tij u publikua ditën e fundit të janarit, kohë kur u deklarua prej tij dhe prej zyrtarëve shqiptarë se do të kryheshin goditje me rëndësi kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ambasadori Lu e shoqëroi mesazhin me një nga skicat e shumta që qarkullojnë në shtyp, ku ai shfaqet duke peshkuar në një varkë.

Zoti Lu tha në një fjalim publik në dhjetor se së shpejti do të ndodhnin arrestime me rëndësi, duke përdorur edhe shprehjen popullore se “më në fund do të hamë peshkun e madh”.

Kjo shprehje folklorike e tij u përdor nga partitë shqiptare për të akuzuar njëra-tjetrën.

Ambasadori amerikan ka mbajtur fjalime të forta kundër kriminalitetit të organizuar shqiptar të lidhur me politikën, duke përmendur edhe emra konkretë personash të akuzuar.

Ai ka nxitur dhe ka mbështetur vazhdimisht autoritetet e drejtësisë që të nxjerrin para drejtësisë autorë të njohur veprash penale, duke denoncuar lidhjet e tyre me familje dhe klane mafioze.

Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit është një nga kërkesat kryesore të institucioneve ndërkombëtare para se Shqipëria të hedhë hapa të rinj në integrimet e mëtejshme europiane.

Përfaqësues të Bashkimit Europian janë shprehur se rezultatet konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do ta shpejtonin integrimin e Shqipërisë dhe hapjen e negociatave.

Ambsadori i SHBA-ve Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, janë kritikuar nga PD dhe LSI për ndërhyrje të tepruara në punët e institucioneve shqiptare. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>