Majko: qëllimi ynë, ta ndihmojmë diasporën për ruajtjen e identitetit

majkoNë një intervistë për Zërin e Amerikës, Ministri i Diasporës i Shqipërisë, Pandeli Majko, tha se institucioni që ai drejton përpiqet për organizimin e diasporës, por pa iu imponuar komunitetit të shqiptarëve jashtë vendit. Ai tha se pavarësisht se pjesëtarët e diasporës kanë pikëpamje të ndryshme politike, synohet që të nxiten veprime në ndihmë të interesave të komunitetit. “Qëllimi im – tha ai, – është që ta ndihmojmë diasporën për ruajtjen e identitetit, edukimin e fëmijëve dhe mësimin e gjuhës shqipe.”

Zoti Majko tha se në Nju Jork, falë interesimit të pushtetit lokal dhe lobingut të diasporës, në shkolla do të hyjë mësimi i dy-gjuhësisë: gjuha shqipe do të mësohet krahas me anglishten dhe se ka shpresa që ky shërbim të hyjë edhe në shtete të tjera amerikane.

Ministri Majko tha se në Shtetet e Bashkuara kanë filluar të ngrihen qendra kulturore të shqiptarëve, falë kontributit financiar të diasporës, por shtoi se në këto projekte do të kontribuojnë edhe qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës. Ai tha se ngritja e këtyre qendrave do të vazhdojë, sipas modelit të qendrës së ngritur nga biznesmeni Richard Lukaj në Nju Jork.

Ministri shqiptar i diasporës tha se në Shqipëri qeveria ka miratuar së fundi ligjin për Agjencinë Kombëtare të Diasporës, që do të jetë një agjenci në funksion të interesave të diasporës. Ligj pritet t’i kalojë së shpejti Parlamentit.

Zoti Majko shtoi se qeveria shqiptare ka filluar punën për një projektligj që do të lidhet me një fond për zhvillimin e diasporës. Ai tha se në diasporë ka një pasuri të jashtëzakonshme njerëzore dhe intelektuale, por sekreti në punën me të, qëndron tek mënyra e komunikimit. Ministri Majko tha se po përpiqet të krijojë në administratën shqiptare një atmosferë të mirë për investitorët nga diaspora, pasi kjo administratë është mësuar të punojë vetëm me investitorë nga Shqipëria.

Zoti Majko foli edhe për nevojën e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Pytjes për kërkesën e diasporës për të votuar në zgjedhjet e Shqipërisë, ai ju përgjigj se institucioni që ai drejton po bashkëpunon me Komisionin e Venecias, me OSBE-në dhe me shoqërinë civile për realizimin e kësaj dëshire të diasporës. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>