Në Shkup po mbahet një konferencë lidhur me sundimin e ligjit dhe arritjen e një konsensusi më të gjerë shoqëror për çështjet që ndërlidhen me procesin e integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Ekspertët e huaj dhe të vendit kanë shprehur shqetësime lidhur me pavarësinë e gjyqësorit dhe shkallën e lartë të korrupsionit në gjyqësor.
Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian në Maqedoni mbështetet në modelin e Sllovakisë dhe si projekt dyvjeçar ndihmohet nga Agjencia amerikane USAID, agjencia SllovakAid dhe shoqata e organizata të tjera. Eskpertë të çështjeve ligjore, zyrtarë shtetërorë, diplomatë e pjesëtarë të shoqrisë civile po diskutojnë mbi reformat që duhet t’i realizojë Maqedonia për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evroian.
Mirjana Llazarova Trajkovska foli për përvojën dhe praktikat e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, ku ka qenë anëtare para pak vitesh.
Ajo thotë se rruga e Maqedonisë për në Bashkimin Evropian kalon nëpër Strasburg, përkatësisht respektimi i të drejtave të njeriut, në radhë të parë duhet tu paraprijë reformave ligjore. “Nuk ka sundim të ligjit pa gjyqsor të pavarur dhe gjykatës të paanshëm”, thekson ajo.
“Duhet një gjyqësor i pavarur, i çliruar nga të gjitha kurthet e politikës dhe trysnive pavarësisht se prej nga vijnë”, tha ekspertja.
Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi tha se përmes konventave si kjo e sotmja, mobilizohet rrethi i ekspertëve për rritjen e kapaciteteve ndërvepruese të shoqërisë me anë të dialogut për çështje jetike në frymën e legjislativës dhe praktikave evropiane.
Aleksandar Duleba, Drejtor i Shoqatës për Politikë të Jashtme të Sllovakisë tha se integrimi evropian nuk duhet kuptuar si synim por si mjet për modernizimin e vendit.
“Të gjitha palët, ekspertët, shoqëria civile, qytetarët duhet të jenë partnerë të barabartë të qeverisë dhe të hapur në procesin e reformave”, thotë zoti Duleba.
Ndërkohë, profesori Blerim Reka, njohës i rrjedhave ballkanike thotë se në të gjitha hulumtimet, jo vetëm në Maqedoni por edhe më gjerë çështje më shqetësuese rezulton të jetë mungesa e pavarësisë së gjyqësorit, korrupsioni i tij dhe mungesa e sundimit të ligjit.
“Pas 25 vitesh të luftërave në Ballkan, rajoni ka nevojë për një tranzicion tjetër: nga ai post-konfliktual në atë post-korruptiv; Kjo ngase po shihet se korrupsioni nuk është më vetëm një kërcënim ekonomik e aq më pak vetëm politik për shtetin, por po bëhet gjithnjë e më tepër një kërcënim për sigurinë rajonale dhe evropiane. Po krijohet një “El Dorado” për ato regjime autoritare që kanë suficit të parave “kesh” dhe kanë deficit të demokracisë për të gjetë Ballkanin si një terren për bizneset e tyre të pista”, thotë z. Reka.
Edhe ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess Baily këto ditë nënvizoi nepotizmin në Këshillin Republikan të Prokurorëve të Maqedonisë.
Ndërkaq, Maqedonia, sipas Transparency International shënon rënie në aspektin e luftës kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit. (voa)