Dronët me bateri kanë zëvendësuar avionët me pilotë në një sërë operacionesh si matjet shkencore dhe fotografitë nga ajri. Megjithatë, dronët vazhdojnë të kenë një disavantazh të madh, burimin e kufizuar të energjisë. Një kompani e re në San Francisko thotë se balonat e tyre me ajër mund ta zgjidhin këtë problem, duke bërë që dronët të qëndrojnë në ajër për një kohë më të gjatë.
Balona shtatë metra e gjatë, “Mothership Scout” fluturon me lehtësi mbi një fushë në Kaliforni, e ndjekur nga një aparat fotografik i lidhur me një dronë me katër helika.
Por pas një kohe, droni detyrohet të ulet, sepse i harxhohet bateria. Falë paneleve të saj diellore balona me ajër vazhdon të fluturojë.
Projektuesi i saj, Jonathan Nutzati, thotë se qëllimi i tij është që balona të jetë në gjendje të fluturojë pafundësisht, duke prodhuar më shumë energji se sa i nevojitet për të qëndruar në ajër.
“Kjo është teknologjia kryesore e balonës, që unë mendoj se po sjell më shumë vlerë në industrinë e dronëve, kryesisht në robotikën e përhershme ajrore, një fushë që unë mendoj se po e krijojmë këtu”.
Balona “Mothership Scout” furnizohet me energji nga panelet e saj diellore prej 400 vatësh që karikojnë baterinë e saj. Lartësia e saj optimale e fluturimit është 150 metra dhe shpejtësia rreth 20 kilometra në orë. Duke qenë më e madhe se shumica e dronëve, ajo mund të shihet me sy të lirë nga një distancë prej rreth 10 kilometrash, gjë që është një avantazh pasi në bazë të rregullave amerikane, operatorët e dronëve privatë duhet të jenë në gjendje të shohin mjetin të cilin e drejtojnë.
“Padyshim që ia vlenë nëse duhet të fluturoni tetë orë, ose në një distancë të gjatë”, thotë Presidenti i kompanisë “Mothership Aeronautics”, Jonathan Nutzati.
Balona “Mothership Scout” mund transportojë pajisje me peshë deri në pesë kilogramë, si kamerat e survejimit ose radarët që depërtojnë në tokë. Kompania “Mothership Aeronautics”është duke punuar në përmirësimin e mjetit të tyre, si aftësia për ta vënë mjetin në autopilot, si dhe prodhimi i një versioni me hidrogjen që bënë të mundur fluturimin gjatë natës. (voa)