Një grup prej 12 deputetësh të Lëvizjes Vetëvendosje zyrtarizoi ndarjen nga kjo lëvizje duke themeluar Grup të ri parlamentar në parlamentin e Kosovës.
Pjesë e këtij grupi janë deputetët: Aida Dërguti, Visar Ymeri, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Dardan Sejdiu, Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Besa Baftiu, Salih Salihu dhe Shqipe Pantina.
Të gjithë këta kanë dhënë dorëheqje gjatë disa muajve të fundit nga strukturat e lëvizjes Vetëvendosje.
Ata kanë vendosur që të quhen Grupi i Pavarur i deputetëve, ndërsa kanë lënë ta hapur mundësinë për krijimin e një force të re politike.
Ndërkaq, deputetja Donika Kadaj – Bujupi, e cila po ashtu ka dhënë dorëheqje, vendosi të rikthehet në Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nga e cila ishte larguar për t’u bashkuar më lëvizjen Vetëvendosje.
Në një reagim të lëvizjes thuhet me tjerash se “me këtë vendim të tyre, këta 13 deputetë janë vetëpërjashtuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nuk mund ta përfaqësojnë më atë as brenda dhe as jashtë institucioneve. Lëvizja ka bërë çmos që kjo të mos ndodhte, por plani i tyre ka qenë qartazi i hershëm dhe pa kthim mbrapa”.
Largimi pasoi krizën në lëvizjen Vetëvendosje, ku që nga viti kaluar një numër i madh i anëtarëve përfshirë ish kryetarin Visar Ymeri dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre në këtë lëvizje.
Përplasjet pasuan publikimin e bisedave private të disa deputetëve të Vetëvendosjes në të të cilat ishte përvijuar edhe një shprehje fyese për themeluesin e lëvizjes, Albin Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje u themelua në vitin 2004 nga Albin Kurti. Deri në vitin 2010 kur u përfshi për herë të parë në zgjedhjet për pushtetin qendror, kjo lëvizje nëpërmjet protestave dhe aksioneve kishte kundërshtuar misionet ndërkombëtare në Kosovë dhe qeverinë e vendit.
Në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit të vitit të kaluar, Vetëvendosje arriti të fitojë 32 vende në parlamentin e Kosovës duke u bërë subjekti i parë në Kosovë ndërsa në zgjedhjet për pushtetin komunal fitoi tri komuna përfshirë dy kryesoret Prishtinën dhe Prizrenin.
Nga sot ajo mbetet me 19 deputetë, duke u radhitur si forca e tretë politike në parlamentin e Kosovës.
(voa)