Rusia kërcënon se do të rrëzojë raketa eventuale të SHBA drejtuar Sirisë, kurse Presidenti Trump i thotë Rusisë të përgatitet për raketat e SHBA.
Rusia i ka paralajmëruar SHBA se çdo raketë e SHBA e lëshuar në Siri në lidhje me një sulm të dyshuar armësh kimike ndaj një zone nën kontrollin e rebelëve do të rrëzohet dhe do të goditen edhe qendrat e lëshimit të raketës. Kjo e ka shtuar mundësinë e një konfrontimi mes SHBA dhe Rusisë.
Sot pasoi përgjigjja nga SHBA. “Bëju gati Rusi”, “raketat do të vijnë”, deklaroi Trump të mërkurën në twitter.
Presidenti i SHBA tha të mërkurën se Rusia “nuk duhet të bëhet partnere me një kafshë që vret me gaz kimik”.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehu keqardhjen që Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk ishte në gjendje të binte dakord për një gjuhë të përbashkët përballë shkallëzimit të konfliktit në Siri.
Pas një mbledhjeje dyditore të kabinetit të ri qeveritar, Merkeli tha se nuk dëshiron të spekulojë për atë që mund të ndodhë më tej në rajon.
Ekspertët skeptikë për luftën
Eksperti i Këshillit Gjerman për Marrëdhëniet e Jashtme, Henning Riecke i tha DW se Donald Trumpi ndodhet para një dileme të madhe, pas sulmit të dyshuar kimik ndaj qytetit Duma në Siri.
“Njëri opsion do të ishte një angazhim i gjerë ushtarak në Siri dhe ndryshimi i balancës ushtarake atje. Synimi do të ishte largimi i regjimit të Assadit. Këto propozime i ka bërë më parë këshilltari aktual i Sigurisë i Trumpit John Bolton, para se ta merrte detyrën aktuale. Një pjesë e Sirisë mund të lihej në këtë kuadër nën kontrollin e kryengritësve sunitë.”
Por Riecke nuk mendon se Trumpi do ta ndjekë këtë opsion.”Kjo do të kërkonte shpenzime të mëdha ushtarake dhe një situatë komplekse, që mund të mos përfundojë në sukses për Trumpin. Do të thoshte luftë ndaj iranianëve dhe në fund kundër rusëve. Kjo do të ishte kundër objektivit të këtij Presidenti, që synon t’i tërheqë SHBA nga angazhimi ndërkombëtar.” (dw)