Në Shqipëri seanca e sotme e parlamenti u zhvillua mes tensioneve të forta në sallë. Deputetët e opozitës bllokuan foltoren duke kërkuar përjashtimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa më pas disa prej tyre hodhën miell, vezë e shishe uji në drejtim të tij. I ulur në krah të kreu të qeverisë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u kundërpërgjigj duke hedhur dhe ai ujë drejt deputetëve të opozitës.
Qese me miell, vezë, e sende të ndryshme dhe shishet me ujë mbizotëruan sot në sallën e parlamentit ku sërish seanca u zhvilluan thuajse në një koas të plotë.
Opozita e bëri të qartë që në fillim qëndrimin e saj, ndërsa kryetari demokrat Lulzim Bashan në përfundim të fjalës së tij kërkoi përjashtimin e kryeministrit Edi Rama, për shkak të “fjalorit fyes nga qytetarëve” në seancën e shkuar duke paralajmëruar se “nuk ka për të pasur procedim normal të kësaj seance pa larguar njeriun që ka fyer si askush tjetër shqiptarët. Ai do të largohet, ai do të mbajë përgjegjësi për këtë fyerje, për krimet dhe grabitjet që i ka bërë vendit”.
Opozita javën e shkuar bëri kërkesë zyrtare për përjashtimin e kryeministrit, por ajo u hodh poshtë nga Byroja e parlamentit. Kryetari i parlamentit ndërhyri disa herë duke i kujtuar zotit Basha se ishte në shkelje të rregullores së parlamentit. Ky ishte momenti i ndërprerjes së parë të seancës. Rifillimi i saj e gjeti sërish opozitën të grumbulluar rreth foltores duke hedhur thirrje kundër kryeministrit dhe duke kërkuar lirimin e 11 qytetarëve nga Kukësi, të mbajtur në arrest me burg për shkak të ngjarjeve të dhunshme të 10 ditëve më parë në Rrugën e Kombit, gjatë protestës kundër tarifës së parashikuar për kalimin në aksin rrugor që çon drejt Kosovës.
Reagimet u ashpërsuan, ndërsa disa prej deputëtevë të opozitës, lëshuan qese me miell drejt kryeministrit Rama. Pas miellit do të vinte radha e sendeve të tjera apo dhe shisheve të ujit. Kryeministri Rama nuk reagoi dhe qëndroi pa lëvizur në vendin e tij. Në krah, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati nuk e shmangu dot kundërpërgjigjen, duke hedhur ujë drejt deputetëve të opozitës.
Më vonë përmes një statusi në Facebook ai u shpreh i keqardhur “për reagimin instinktiv ndaj agresionit të ulët me miell, vezë e të tjera mjete rrethanore, nga grupi i pushtuesve të dhunshëm të foltores së Kuvendit, pa llogaritur lumin e të sharave vulgare”, shkruajti zoti Bushati duke i kërkuar ndjesë qtetarëve që nuk arriti të ruajë “gjakftohtësinë në ato kushte krejt të papranueshme për çdo mjedis publik, e lere më pastaj për një parlament demokratik”, u shpreh zoti Bushati.
Seanca u përmbyll me shpejtësi, ndërsa për dy çështjet e rendit të ditës u votua pa diskutime. Ndërsa në mbrëmje pritet mbledhja e Byrosë për përjashtimin e të paktën tre deputetëve të opozitës, masa ndaj të cilëve u njoftua në sallë nga kryetari i Parlamentit, por dhe i ministrit të Jashtëm. (voa)