Samiti i Sofjes: “Kosova dhe Serbia nuk do të fitojnë 100%”

Sofje samitiNë Sofje të Bullgarisë zhvillohet sot samiti BE-Ballkani Perëndimor. Pritet që BE t’i japë një shtytje proceseve integruese, por samitin e ka komplikuar refuzimi i Spanjës që të ulet në një tavolinë me krerët e Kosovës.

Kosova po prezantohet në këtë samit nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe minsitri i Jashtëm Behgjet Pacolli, ndërsa delegacionin e Shqipërisë e prin kryeministri Edi Rama. Vëmendjen kryesore megjithatë e ka zgjuar raporti mes Kosovës dhe Serbisë si dhe refuzimi i kryeministrit të Spanjës Rajoy, që të ulet në një tavolinë me krerët e Kosovës. Presidenti Hashim Thaçi është takuar dje në Sofje me ndërmjetësimin e përfaqësueses së BE, Federica Mogherini me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Insistimet për marrëveshje të shpejtë

Autoritetet ndërkombëtare evropiane por edhe amerikane kanë intensifikuar kohët e fundit angazhimet për një marrëveshje të shpejtë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Vuçiq dhe ai Thaçi flasin se marrëveshja përfundimtare do të jetë e “dhimbshme për të dyja palët”, pra për Kosovën dhe Serbinë, por asnjëri prej tyre ende nuk e ka konfirmuar se cilat janë kërkesat konkrete të autoriteteve ndërkombëtare dhe cilat janë ato elemente të dhimbshme me të cilat do të përballen palët.

Presidenti Thaçi tha se Kosova do të paraqitet në këtë samit e barabartë me shtetet e tjera pjesëmarrëse. Por për shkak të Kosovës do të përdoret modeli Gimnih, sipas të cilit pjesëmarrësit nuk do të kenë simbole të shtetit. Kështu të paktën kanë paralajmëruar organizatorët, pra Bullgaria si kryesuese e radhës e KE, por edhe autoritetet e tjera, të cilat kanë përgatitur draftin e deklaratës përfundinmtare. Në këtë deklaratë thuhet se të gjitha 28 vendet e tanishme të BE, pra edhe Britania e Madhe, e mbështesin perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Por mësohet se në dokument evitohet të përmendet anëtarësimi i këtyre vendeve në BE apo zgjerimi i BE-së. Thuhet se vendet duhet të ndërlidhen më shumë mes vete përmes investimeve në infrastrukturë, të forcohet bashkëpunimi rajonal, të shtohen shkëmbimet në sektorin e arsimit, kulturës dhe që ato së bashku të tejkalojnë të gjtiha sfidat e përbashkëta – siç janë siguria dhe migracioni. Dokumenti përfundimtar ku flitet për ndërlidhje dhe partneritet duhet të miratohet në fund të samitit. Merret vesh se edhe Spanja do të mbështetë dokumentin, ndonëse nuk do të ketë përfaqësuesit e saj në takim.

Falënderimet për Borisovin   

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka falënderuar jo vetëm autoritetet evropiane por edhe kryeministrin e Bullgarisë Boiko Borisov për përkushtimin e tij që Kosova të marrë pjesë në këtë samit, njëjtë sikur shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. “Me këtë pjesëmarrje Kosova e fuqizon subjektivitetin e vet evropian”, thotë Thaçi. Refuzimin e pjesëmarrjes së Spanjës në samit, ai e sheh si pasojë të çështjeve të brendshme të pazgjidhura në këtë vend. Ndërsa sa i përket raporteve me Serbinë ai tha se pret që këto të zgjidhen brenda “nëntë muajve, kur mund të arrihet një marrëveshje historike”. Por ky moment kërkon, sipas tij, një mobilizim të të gjitha forcave politike për gjetjen e zgjidhjes më të mirë për Kosovën. Problemi më i madh që ka Kosova është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn dhe autoritetet evropiane thonë se statuti për Asociacionin duhet të jetë i gatshëm katër muaj pas krijimit të komisionit punues, pra deri në korrik.

Sebia nuk është e kërcënuar

Presidenti i Serbisë tha se vendi i tij është nën presion, por askush nuk mund ta cënojë ate. “Askush nuk po e kërcënon Serbinë e as mua. Ka pasur presion ndaj Serbisë për pesë vite tani, sepse Perëndimi po e dëshiron pavarësinë e Kosovës. Ne nuk e duam. A na obligon kjo? Jo. A është pozita jonë e lehtë? Jo. Nëse do të pranoja diçka që do t’i përshtatej opinionit serb, do të dilja para popullit, por kam pranuar vetëm shenja”, tha Vuçiq.

“Ne e kemi një plan të caktuar, por nuk jam i kënaqur me detaje të caktuara. Jemi në kërkim të një zgjidhjeje kompromisi që kërkon marrjen në konsideratë të interesave të serbëve në Kosovë, por edhe të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ai.

Vazhdimi i dialogut

Në takmin e mbajtur me ndërmjetësimin e Mogherinit, presidentët Thaçi dhe Vuçiq kanë rënë dakord që të vazhdojnë dialogun, të cilin kërkojnë shtetet e BE por edhe SHBA. Ky dialog po futet në fazën përfundimtare, kur palët duhet të nënshkruajnë edhe një marrëveshje të obligueshme juridike, për normalizimin e raporteve. Presidenti i Serbisë Vuçiq ka përsëritur shumë herë kohët e fundit se Sebia nuk mund të jetë humbësi i vetëm i këtij dialogu dhe se ai do të insistojë në mbrojtjen e interesave të shtetit të tij. Ndërkohë që edhe Thaçi tha se “procesi nuk do të jetë i lehtë për Kosovën por as për Serbinë” dhe se “nuk do të ketë fitore 100% për askënd”.

Samiti në Sofje do të fillojë me një fotografim të përbashkët dhe do të përfundojë me prezantimin e rezultateve të takimit. Pjesëmarrësit shpresojnë se BE do t’ia hapë rrugën BE për anëtarësim dhe do të mbështetë iniciativat rajonale. Në kornizat e samitit janë mbajtur dhe po mbahen edhe takime të tjera të rëndësishme bilaterale. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>