Si pasojë e shembjes së urës në Gjenova gjetën vdekjen dhjetra vetë. Shkaqet e rrëzimit të urës deri tani nuk dihen. Italia paralajmëron masa radikale.
Dëshmitarët okularë njoftojnë për “skena apokaliptike”, të para pas rrëzimit të urës në Gjenova të Italisë. Fatkeqësia ndodhi të martën (14.08) në mëngjes, kur pas rrëzimit të urës së ashtuquajtur Morandi, me dhjetra makina u përplasën në një lartësi prej rreth 40 metrash. Ura me katër korsi u shemb në një gjatësi prej rreth 100 metrash.
Zyrtarisht flitet ndërkohë për 35 të vdekur, por punimet e ekipeve të shpëtimit po vazhdojnë kërkimet dhe druajnë, se numri i viktimave mund të rritet. Deri tani nga gërmadhat janë nxjerrë të gjallë 11 vetë, ndaj autoritetet shpresojnë se ende mund të gjejnë të mbijetuar dhe t’i shpëtojnë ata. Numri i personave të mbetur nën gërmadha nuk dihet. “Ne do të vazhdojmë punimet dhe përpjekjen për kërkimin dhe shpëtimin e të gjithë atyre që eventualisht kanë mbetur nën gërmadha”, thotë drejtuesi i njësive të shpëtimit, Luigi D’Angelo.
Kryeministri i Italisë Giuseppe Conti shprehu keqardhje të thellë për fatkeqësinë në Gjenova. Ndërsa zëvendëskryeministri Luigi Di Maio tha, se shteti do të bëjë ç’është e mundur për të ndihmuar famijet e viktimave. Edhe presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe kancelarja Angela Merkel shprehën keqardhjen për këtë tragjedi.
Instrastruktura e vjetëruar
Ministri i Komunikacionit Danilo Toninelli tha se kjo fatkeqësi e rëndë është një dëshmi tjetër për gjendjen e keqe në rrugët e Italisë. Përgjegjësit duhet të përgjigjen për këtë. Ministri i Brendshëm Matteo Salvini tha, se ai ka paralajmëruar “me qindra herë” për gjendjen e keqe në urën Morandi. Ai tha se personalisht do të angazhohet që para drejtësisë të nxirren personat përgjegjës nga e kaluara dhe e tashmja. “Nuk është e pranueshme që të ketë vdekje të tilla në Itali”, tha ai.
Salvini la të kuptohet se Italia do të bëjë ndryshime edhe sa i përket Paktit të Stabilitetit të BE-ë dhe kërkesave për kursime, duke argumentuar se Italia do të ndërmarrë investime të shumta për përmirësimin e gjendjes në infrastrukturë. “Siguria e italianëve duhet të jetë në vendin e parë”, tha ai.
Salvini këtu ka parasysh mbase edhe zhvillimet nga marsi i vitit 2017, kur një çift gjeti vdekjen si pasojë e rrëzimit të një ure në Ankona të Italisë. Në tetor të vitit 2016 u godit për vdekje një pensionist prej një pjese të urës në austradën mes Milanos dhe Leçes.
Ura ishte “rinovuar”
Sipërmarrja private e ngarkuar që të kujdeset për këtë autostradë tha se ajo është kujdesur për rinovimin e urës. Në faqen e internetit të saj sipërmarrja bëri të ditur se është punuar edhe në forcimin e bazamentit të urës. Në urë ka qenë edhe një vinç për ndërtim. Gjendja e urës dhe punimet në urë janë kontrolluar gjithmonë, thotë ata. Shkaqet e shembjes së urës do të bëhen të ditura pas hetimeve, që mund të zgjasin me ditë dhe javë të tëra. Ura, e cila mbante emrin e planifikuesit të saj, Riccardo Morandi, është ndërtuar në vitin 1967. Ajo kalon mbi lumin Polcevera dhe në një zonë industriale. Nëpër këtë rrugë kalojnë edhe shumë turistë, të cilët udhëtojnë nga Xhenova përmes Ventimiglias në drejtim të bregdetit italian deri në kufirin me Francën.
bc/wa/wo (rtr, dpa, afp)