Kancelari Kurz viziton Shkupin

Kurz ZaevKancelari austriak Sebastian Kurz ishte në Shkup në një përpjekje për të bindur kundërshtarët e ndryshimit të emrit të Maqedonisë se vetëm me ndryshimin ky vend do të mund të integrohet në Bashkimin Evropian.

Zoti Kurz e përshëndeti kompromisin e arritur midis qeverive të Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit të Maqedonisë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë që të dalin në numër sa më të madh të votojnë pozitivisht në referendumin e tridhjetë shtatorit.

SB: “Bashkimi Evropian do të jetë i tërë vetëm atëherë kur në të do të integrohet Ballkani Perëndimor. Për Maqedoninë, zgjidhja e problemit të emrit paraqet mundësi të madhe për të arritur një dinamikë në këtë rrugë por dhe për të gjithë rajonin”, – tha Kancelari Kurz.

“Kjo është zgjedhje e secilit qytetar veç e veç, por si mik i vendit tuaj mendoj se do të ishte mirë nëse ka një dalje të madhe në referendum”, – shtoi ai.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev tha se Maqedonia është një shembull i mirë për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.

SB: “Mbështetja juaj, erdhi në një kohë kyçe dhe historike kur Republika e Maqedonisë vetëm për një vit bëri një hap të madh drejt demokracisë funksionale dhe institucioneve të pavarura në shërbim të qytetarëve”, – tha Zaev, për të shtuar se për Shkupin është nxitje që Austria e njohu shpresën e Maqedonisë për në Evropë.

“Vizita juaj, – shtoi ai – paraqet një mesazh të fuqishëm të kthimit të Maqedonisë në rrugën e drejtë, në rrugën evropiane”.

Zaev u shpreh i bindur se bashkëvendësit e tij do të votojnë për një të ardhme të ndritur të shtetit të tyre.

Ndërkohë, Kancelari austriak foli edhe për marrëdhëniet ekonomie, duke theksuar se Austria është investitori numër një në Maqedoni.

Autoritetet maqedonase gjatë pritjes së Kancelarit Sebastian Kurz, vendi i të cilit është kryesues i radhës me BE-në, bënë një gabim protokollar, duke ngatërruar flamurin austriak me atë të Letonisë, për çka pastaj kërkuan falje.

Kancelari Kurz pati takime të ndara me kryetarin e VMRO-DMNE-së Hristijan Mickovski, partia e të cilit e kundërshton marrëveshjen me Greqinë për ndryshimin e emrit të Maqedonisë dhe me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti. Ky i fundit i ka thënë zotit Kurz se: Erdhi koha t’i ecim bashkë edhe hapat e fundit drejt suksesit të dëshiruar, që është integrimi euroatlantik”. Ndërkohë, Mickovski është shprehur se marrëveshja me Greqinë e vë Maqedoninë në pozitë të palakmueshme dhe ajo nuk nuk i pasqyron interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Maqedonisë.

Të shtunën në Shkup pritet të vijë Kancelarja gjermane Angela Merkel. Kjo do të jetë vizita e saj e parë në Maqedoni, në përpjekje për ta çuar vendin e vogël ballkanik drejt integrimit më të shpejtë në BE dhe NATO. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>